Please enter at least 3 characters.

Naim Murseli para gjykatës: Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e devotshme

I dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, Naim Murseli, ka deklaruar sot para trupit gjykues se marrëdhënia e tij me tashmë të ndjerën ka qenë e mirë dhe e qëndrueshme gjatë gjithë viteve të martesës së tyre.

Sipas deklarimit të tij, Murseli tha se me Liridonën ishin fejuar më 21 prill 2010 dhe ishin martuar më 11 dhjetor 2011, duke ndarë së bashku 12 vite martesë, nga e cila kanë dy fëmijë.

Ai theksoi se bashkëshortja e tij ka qenë “një grua e mrekullueshme, një nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e devotshme”.

Në dëshminë e tij, Murseli rrëfeu se familja kishte jetuar në Suedi, ku Liridona, pas tri vitesh qëndrimi, kishte fituar shtetësinë suedeze si rezultat i martesës.

Ai u ndal edhe te vështirësitë që çifti kishte kaluar në vitet e para të martesës, duke theksuar se dëshira e madhe e Liridonës ishte të bëhej nënë, por për disa vite ajo kishte pasur probleme për të mbetur shtatzënë.

“Pesë vitet e para jam marrë shumë me të nëpër spitale. Më në fund, në vitin 2017, iu realizua ëndrra, u bë nënë dhe unë u bëra babë”, deklaroi Murseli, duke shtuar se pas fëmijës së parë, rreth një vit e gjysmë më vonë, çifti u bekua edhe me fëmijën e dytë.

Ai mohoi kategorikisht se mes tij dhe Liridonës ka pasur ndarje apo probleme serioze në marrëdhënie, duke theksuar se “çdo gjë ka qenë në rregull”.

“Pesë vitet e para jam marr shumë me të nëpër spitale. Më në fund më 2017 iu realizuar ëndrra u bë nënë dhe unë u bëra babë dhe menjëherë pas fëmijës së parë, pas një viti e gjysmë dashti Zoti dhe fëmija i dytë dhe kemi jetuar së bashku krejt kohën. Nuk ka pas asnjëherë ndonjë ndarje ose diçka të tillë. Çdo gjë ka qenë në rregull mes nesh. Sic e ka thënë dhe dëshmitari Kokalla dhe Leonardi që kur e pyeta a është ankuar Liridona për 13 vite te ju, Leonardi tregoi që jo, nuk është ankuar. Kjo është e vërteta. Nuk ka pas pse të ankohet se në jetën larg qoftë me ushtru dhunë apo dicka tjetër, ato gjëra nuk kanë ekzistuar në marrëdhënien tonë”, ka deklaruar Murseli. /Telegrafi/