Please enter at least 3 characters.

Nagelsmann flet për eliminimin shokues nga Kupa e Botës për Gjermaninë: Jam gati të vazhdoj

Kombëtarja e Gjermanisë është eliminuar në mënyrë të papritur nga Kupa e Botës, pasi u mposht nga Paraguai pas ekzekutimit të penalltive në raundin e 1/8 së finales.

Pas 120 minutave lojë, rezultati ishte 1:1, ndërsa paraguajanët triumfuan 4:3 nga pika e bardhë. Tragjiku i mbrëmjes për "Pancerët" ishte Jonathan Tah, i cili humbi penalltinë vendimtare në serinë e gjashtë.

Para tij, gabuan edhe Kai Havertz dhe Nick Woltemade, por humbjet e penalltive nga Antonio Sanabria dhe Fabian Balbuena i rikthyen përkohësisht gjermanët në lojë.

Pas eliminimit, trajneri Julian Nagelsmann u pyet për të ardhmen e tij në stolin e Gjermanisë.

"Jo, nuk është në duart e mia. Jam gati të vazhdoj nëse ata e duan këtë. Nëse jo, atëherë duhet të ma thonë", deklaroi ai për MagentaTV.

Më pas, për ZDF, ai pranoi se zhgënjimi ishte i madh, por theksoi se mbetet i gatshëm për të vazhduar punën.

Edhe Kai Havertz nuk i fshehu emocionet pas eliminimit.

"Nuk kam shumë për të thënë, jam pa fjalë. Kjo është Kupa ime e dytë e Botës dhe i kam zhgënjyer njerëzit në të dyja rastet. Turneu i fundit nuk solli asgjë. E vetmja gjë që mund të them është: Më vjen keq. Të gjithë jemi të zhgënjyer. Është një ndjenjë e tmerrshme t'i zhgënjesh të gjithë përsëri", tha sulmuesi gjerman.

Gjermania arriti të barazojë në minutën e 54-të, kur Havertz shënoi golin e tij të tretë në turne, duke anuluar epërsinë e Paraguait, e cila ishte siguruar nga Julio Enciso në minutën e 42-të.

Megjithatë, gjermanët nuk arritën të gjenin golin e fitores as në kohën e rregullt dhe as në vazhdime.

Ata iu afruan më së shumti në minutën e 102-të, kur Jonathan Tah dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për një faull të mëparshëm.

"Një skandal i plotë", reagoi Nagelsmann pas ndeshjes, ndërsa eksperti i arbitrimit i ZDF, Thorsten Kinhöfer, e cilësoi vendimin si "absolutisht të pakuptueshëm".

Eliminimi nga Paraguai përbën një tjetër zhgënjim të madh për Gjermaninë, e cila edhe një herë largohet nga Kupa e Botës shumë më herët sesa pritej. /Telegrafi/