Muzika e zgjedhur me kujdes mund të ndihmojë në kontrollimin e ankthit
Një studim i ri sugjeron se muzika me impulse të posaçme ritmike mund të ndikojë në aktivitetin e trurit dhe të ndihmojë në qetësimin e simptomave të ankthit
Hulumtimet shkencore prej kohësh kanë treguar se muzika mund të ndikojë pozitivisht në disponim, në sistemin kardiovaskular dhe në funksionet njohëse. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se jo çdo lloj tingulli vepron njësoj kur bëhet fjalë për lehtësimin e ankthit. Sipas të dhënave të këtij hulumtimi, rëndësi ka jo vetëm çfarë dëgjohet, por edhe sa gjatë dëgjohet.
Çfarë zbuloi studimi?
Shumë njerëz përdorin tinguj sfondi, si zhurma e shiut ose e ashtuquajtura “pink noise”, për relaksim, gjumë ose përqendrim. Mirëpo, të dhënat e reja tregojnë se muzika e krijuar posaçërisht mund të jetë më efektive kur synohet ulja e ankthit.
Studimi, i botuar në revistën PLOS Mental Health, shqyrtoi ndikimin e muzikës me një teknikë të njohur si auditory beat stimulation, ose ABS. Kjo metodë përdor impulse ritmike zanore për të ndikuar në valët e trurit, duke i zhvendosur ato nga një gjendje më e shpejtë dhe më e tensionuar drejt një ritmi më të ngadalshëm e më qetësues.
Në hulumtim morën pjesë shkencëtarë nga universitetet në Londër dhe Kanada. Ata analizuan se si kohëzgjatje të ndryshme të dëgjimit të muzikës “meditative” me ABS ndikojnë në simptomat e ankthit.
Në studim u përfshinë 144 të rritur që tashmë përdornin terapi kundër ankthit. Pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe: një grup kontrolli që dëgjonte “pink noise” dhe tri grupe që dëgjonin muzikë me ABS për 12, 24 dhe 36 minuta. Ankthi dhe disponimi u matën para dhe pas seancave me shkallë klinike të standardizuara, transmeton Telegrafi.
Sa minuta duhen për efekt pozitiv?
Rezultatet treguan se kohëzgjatja e dëgjimit kishte rëndësi të qartë.
Ulja më e theksuar e ankthit u vërejt te pjesëmarrësit që dëgjuan muzikë për 24 minuta. Te ata që dëgjuan për 36 minuta, efekti arriti nivelin më të lartë, me përmirësim shtesë të disponimit dhe ulje të emocioneve negative. Ndërkaq, 12 minuta nuk ishin të mjaftueshme për të sjellë ndryshime të rëndësishme.
Përveç uljes së ankthit, pjesëmarrësit raportuan më pak nervozizëm, më pak tension dhe më pak shqetësim të brendshëm. Ata përshkruan edhe ndjenjë më të madhe qetësie dhe stabiliteti emocional.
Është e rëndësishme të theksohet se të gjithë pjesëmarrësit tashmë përdornin barna, prandaj kjo metodë nuk duhet parë si zëvendësim i terapisë, por si mundësi plotësuese.
Si ndikon muzika në tru?
Truri nuk e përpunon muzikën vetëm si tingull. Ajo lidhet edhe me kujtime, emocione dhe kuptime personale. Muzika e preferuar mund të aktivizojë qendrat e kënaqësisë në tru, ndërsa këndimi ose luajtja në instrument mund ta rrisë edhe më shumë këtë aktivizim.
Megjithatë, muzika me ABS vepron ndryshe. Ajo nuk mbështetet kryesisht në shijen muzikore, por në strukturën akustike. Fillimisht, muzika mund t’i përshtatet ritmit aktual të zemrës, i cili shpesh është i përshpejtuar gjatë stresit. Më pas, tempoja ngadalësohet gradualisht, duke e ndihmuar organizmin të kalojë në një gjendje më të qetë.
Ky parim njihet si “izo-parim”. Përmes impulseve të fshehura ritmike, valët e trurit mund të sinkronizohen me ritmin më të ngadalshëm, gjë që ndihmon në relaksim.
A është efekti vetëm shpërqendrim?
Një pyetje e rëndësishme është nëse muzika vetëm e largon vëmendjen nga ankthi, apo nëse vërtet ndikon në gjendjen e trurit.
Nëse qetësimi vazhdon edhe pas përfundimit të dëgjimit, kjo mund të tregojë për një ndryshim më të thellë: kalimin nga gjendja e alarmit, e njohur si “lufto ose ik”, drejt gjendjes së pushimit dhe rigjenerimit.
Edhe shpërqendrimi ka vlerë, por ulja e tensionit fizik dhe e ndjenjës subjektive të ankthit tregon se mekanizmi mund të jetë më kompleks. Fakti që grupi që dëgjoi “pink noise” pati rezultate më të dobëta e përforcon këtë mendim.
Kufizimet e studimit
Edhe pse rezultatet janë premtuese, studimi ka kufizime. Ai u përqendrua në efektet afatshkurtra, prandaj nuk dihet sa gjatë zgjat përmirësimi. Gjithashtu, pjesëmarrësit tashmë ishin në terapi, gjë që e vështirëson vlerësimin e efektit të muzikës si trajtim i pavarur.
Një tjetër paqartësi është nëse rezultati lidhet vetëm me ABS-në apo me kombinimin e saj me muzikën, sepse nuk kishte grup që përdorte vetëm ABS.
A mund të jetë pjesë e terapisë?
Ky studim sugjeron se muzika e krijuar posaçërisht me stimulim ritmik dëgjimor mund të ndihmojë në uljen e shpejtë të ankthit. Dëgjimi për 24 deri në 36 minuta duket se sjell efektin më të mirë.
Megjithatë, kjo qasje nuk i zëvendëson metodat standarde të trajtimit. Ajo mund të përdoret si mbështetje shtesë, sidomos në momentet kur ankthi është më i theksuar. /Telegrafi/


