Please enter at least 3 characters.

Muaji i shtatë i shtatzënisë: Fillon tremujori i fundit - çfarë ndryshimesh të presësh dhe si të kujdesesh

Me hyrjen në muajin e shtatë, shtatzënia futet në tremujorin e tretë – periudhën e fundit dhe më të ndjeshme për nënën dhe beben

Nga java e 27-të deri në të 30-tën, zhvillimi i foshnjës hyn në fazën përfundimtare: organet vazhdojnë të piqen, pesha rritet me ritëm më të shpejtë, ndërsa lëvizjet e bebes bëhen gjithnjë e më të dukshme dhe të forta. Kjo është koha kur nëna përjeton ndryshime të theksuara fizike dhe emocionale, nga lodhja dhe dhimbjet e shpinës, deri te emocionet e pritjes dhe përgatitjes për lindje.

Muaji i shtatë nuk është vetëm një etapë biologjike, por edhe një fazë e rëndësishme përgatitore. Kujdesi ndaj shëndetit, ushqyerja e ekuilibruar, aktiviteti i lehtë fizik dhe ndjekja e këshillave mjekësore janë themelore për ta kaluar këtë periudhë me sa më pak shqetësime. Ky është momenti kur përgatitjet emocionale e praktike për ardhjen e foshnjës bëhen konkrete, duke e afruar nënën me momentin më të gëzueshëm të jetës së saj - takimin me beben transmeton Telegrafi.

Zhvillimi i bebes në muajin e 7-të

▪ Beba juaj tashmë peshon rreth 1–1.3 kg dhe është gjatësi rreth 35–37 cm.
▪ Mushkëritë dhe sistemi nervor po piqen, megjithëse ende nuk janë plotësisht të zhvilluara.
▪ Bebja hap e mbyll sytë, fillon të reagojë ndaj dritës dhe zërit, madje mund të kthehet drejt zërit të nënës.
▪ Lëvizjet janë më të dukshme dhe shpesh i shihni edhe mbi bark, duke ju dhënë mundësi të lidheni me të përmes përkëdheljes.

Simptomat e zakonshme në muajin e 7-të

Shumë prej tyre janë të njohura, por disa bëhen më të theksuara:

▪ Lodhje dhe vështirësi në aktivitetet e përditshme – për shkak të rritjes së peshës së trupit dhe bebes.
▪ Strija dhe kruarje të lëkurës – lëkura zgjatet dhe shpesh shoqërohet me ndjesi kruarje.
▪ Marramendje dhe ndjesi dobësie – shkaktuar nga ndryshimet hormonale dhe presioni i ulët i gjakut.
▪ Dhimbje mesi dhe shpine – për shkak të shtimit në peshë dhe ndryshimit të qëndrimit trupor.
▪ Probleme me tretjen dhe kapsllëkun – hormonet ngadalësojnë funksionin e zorrëve.
▪ Venat e zgjeruara (varicet) dhe ndonjëherë hemorroide.
▪ Ngërçe muskulore (sidomos në këmbë) – shpesh gjatë natës.
▪ Urth dhe refluks gastrik.
▪ Shkurtim fryme – nga presioni i mitrës mbi diafragmë.


shutterstock

Si të kujdeseni në muajin e 7-të

▪ Masa për lëkurën: përdorni kremra natyralë për strijat dhe bëni masazhe të lehta për qarkullim më të mirë.
▪ Ushtrime të buta: ecje e përditshme, joga për shtatzëna ose ushtrime shtrirjeje për të lehtësuar dhimbjet e shpinës.
▪ Marrja e suplementeve: vazhdoni me vitaminat prenatale dhe veçanërisht me acidin folik dhe hekurin (sipas rekomandimit të mjekut).
Hidratimi: pini mjaftueshëm ujë për të parandaluar kapsllëkun dhe ngërçet.
▪ Pozicioni i gjumit: flini në anën e majtë për qarkullim më të mirë të gjakut drejt placentës.
▪ Jeta intime: marrëdhëniet seksuale zakonisht janë të sigurta, përveç rasteve kur mjeku ju ka këshilluar ndryshe.
▪ Konsulta mjekësore: çdo shqetësim i pazakontë (gjakderdhje, dhimbje të forta, rrjedhje lëngu) duhet raportuar menjëherë te mjeku.

/Telegrafi/