Please enter at least 3 characters.

Mourinho zgjedh lojtarin që e do te Real Madridi për ta përforcuar vijën e mbrojtjes

Real Madridi po monitoron Renato Veigën, mbrojtësin qendror 22-vjeçar me këmbë të majtë të Villarrealit, në këtë afat kalimtar veror, me kërkesë direkte nga Jose Mourinho. Trajneri portugez dëshiron të ketë një rotacion të fortë për të konkurruar për të gjithë trofetë.

Drejtuesit e klubit madrilen e vlerësojnë afrimin e reprezentuesit portugez, i cili sipas Transfermarkt vlerësohet me 30 milionë euro dhe ka kontratë me Villarrealin deri në qershor të vitit 2032, si një opsion për të forcuar mbrojtjen për sezonin e ardhshëm.

Sipas gazetarit Ben Fernandes Santos, interesimi i Real Madridit lidhet me dëshirën e Jose Mourinhos për të pasur një mbrojtës të majtë me potencial, i cili mund të ofrojë rotacion si në La Liga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

Mbrojtësi portugez, i cili më herët ka pasur përvojë te Juventusi, iu bashkua Villarrealit në gusht të vitit 2025 dhe deri tani ka zhvilluar 18 ndeshje me kombëtaren e Portugalisë, duke shënuar edhe një gol.

Paraqitjet e tij kanë bindur skautët e Real Madridit që ta vendosin emrin e tij në mesin e prioriteteve kryesore, në rast se klubi vendos të ndërhyjë në afatin kalimtar.

Me një vlerë tregu prej 30 milionë eurosh, Veiga përshtatet me strategjinë e Real Madridit për të afruar lojtarë të rinj me potencial për të përforcuar repartin defensiv.

Megjithatë, pavarësisht monitorimit të mbrojtësit të Villarrealit, operacioni varet nga largimet e mundshme në skuadrën e Real Madridit.

Transferimi i Veigës do të aktivizohej vetëm nëse finalizohet largimi i Asencios, i cili është një nga emrat në listën e lojtarëve që stafi teknik planifikon t'i largojë për sezonin 2026/2027./Telegrafi/