Mourinho rikthehet te Real Madridi? Florentino Perez mbyll marrëveshjen e madhe
Jose Mourinho rikthehet sërish në qendër të vëmendjes te Real Madridi.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Florentino Perez tashmë ka arritur marrëveshjen që do t’i hapte rrugën trajnerit portugez për t’u rikthyer në stolin e “Los Blancos”, në rast se fiton zgjedhjet presidenciale të klubit më 7 qershor.
Raporti i publikuar nga “AS” thekson se marrëveshja është finalizuar me ndihmën e superagjentit Jorge Mendes dhe përfshin edhe klubin aktual të Mourinhos, Benficën.
Fillimisht, portugezët kërkonin rreth 15 milionë euro bruto për të liruar trajnerin 63-vjeçar, por palët kanë gjetur kompromis duke i dhënë Benficës avantazh në sigurimin e pasuesit të tij, Marco Silva.
Trajneri i Fulhamit, i cili gjithashtu menaxhohet nga Jorge Mendes, konsiderohet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Benficës.
Kjo formulë pritet të kënaqë të gjitha palët e përfshira në operacion, përfshirë Real Madridin, Mourinhon, Benficën dhe Fulhamin.
Sipas të njëjtave burime, zyrtarizimi i rikthimit të Mourinhos mund të ndodhë brenda tre ditëve pas zgjedhjeve presidenciale, nëse Florentino Perez arrin të sigurojë mandatin e ri.
Ndërkohë, “The Special One” thuhet se ka nisur tashmë punën për projektin e ri sportiv dhe ka dorëzuar raportin e parë me kërkesat për afatin kalimtar.
Mourinho kërkon përforcime të shumta në skuadër, përfshirë një ose dy qendërmbrojtës, një mbrojtës të djathtë, një mbrojtës të majtë dhe dy mesfushorë.
Megjithatë, rikthimi i tij në “Santiago Bernabeu” mbetet i lidhur drejtpërdrejt me rezultatin e zgjedhjeve, pasi vetëm një fitore e rivalit Enrique Riquelme do ta ndalte këtë skenar.
Jose Mourinho drejtoi Real Madridin në periudhën 2010-2013, duke fituar La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa rikthimi i tij do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme të futbollit evropian. /Telegrafi/


