Mitrovica hap dyert për Panairin e Produkteve Tradicionale “Konaku i Mitrovicës”
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se të hënën, më 17 gusht të këtij viti, pranë Xhamisë “Isa Beg”, ka hapur dyert Panairi i Prodhimeve dhe Produkteve Tradicionale “Konaku i Mitrovicës”.
Aktiviteti është organizuar nga Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me fokus të veçantë në mbështetjen dhe promovimin e grave fermere dhe artizane.
Drejtoresha e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Remzije Tupella, ka vlerësuar rëndësinë e panairit, i cili synon promovimin, shitjen dhe zhvillimin e produkteve vendore, si dhe fuqizimin e grave në fushën e ndërmarrësisë.
Në panair qytetarët kanë mundësi të njihen nga afër me prodhime dhe produkte tradicionale vendore, duke kontribuar në mbështetjen e grave që merren me bujqësi, prodhim dhe artizanat.
Komuna e Mitrovicës ka ftuar qytetarët që ta vizitojnë panairin dhe të mbështesin gratë fermere dhe artizane.
Panairi “Konaku i Mitrovicës” do të jetë i hapur nga 17 deri më 23 gusht 2026, pranë Xhamisë “Isa Beg”. /Telegrafi/


