Please enter at least 3 characters.

‘Mitralozë, mjete shpërthyese e uniforma’ – çfarë u gjet pranë varrezave masive në Zubin Potok- të gjitha nga konferenca e Policisë

Policia e Kosovës prezantoi të enjten armatimin dhe dëshmi tjera relevante të gjetura dhe të konfiskuara gjatë operacioneve policore të zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.

Armatimi i konfiskuar është ekspozuar në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

Lidhur me këto operacione policore dhe gjetjen e armatimit, të enjten kanë mbajtur një konferencë për media ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

Ministri Sveçla, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi, municioni dhe pajisjesh ushtarake në fshatrat përreth Kalludrës në Zubin Potok.

Duke folur në konferencën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Sveçla tha se zbulimi i arsenalit ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve të Kosovës.

“Ky arsenal armësh, municioni e pajisjesh është gjetur në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, një zonë tashmë e njohur për të gjithë ne. Pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive, në të cilat janë gjetur mbetje mortore të 23 personave”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë se sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive kanë ardhur pas shtrirjes së sovranitetit të shtetit në veri, vendosjes së rendit dhe ligjit, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Sipas ministrit në detyrë, zbulimi i varrezave ka nxjerrë edhe një herë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Veriu i vendit tonë, përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë, maltretimeve e dëbimeve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave të viktimave”, ka thënë ai.

Sveçla ka deklaruar se Serbia ka investuar vazhdimisht që veriu i Kosovës të mbetej i destabilizuar dhe, siç u shpreh ai, zonë rezistente ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Ai tha se, gati tri dekada pas luftës, familjarët e personave të zhdukur ende presin të gjenden mbetjet mortore të më të dashurve të tyre, ndërsa Kosova kërkon përgjegjësi për të gjithë personat e përfshirë në krimet dhe fshehjen e trupave apo informacioneve për vendndodhjen e viktimave.

Sveçla ka bërë të ditur se në tri lokacione në këtë zonë janë gjetur mbetje mortore të 23 personave.

Sipas tij, në lokacionin e parë janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në lokacionin e dytë të katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë të gjashtë personave.

"Mitraloz, armë të gjata, mjete shpërthyese e uniforma" - detajet e operacionit të Policisë në koordinim me AKI-në në veri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se operacionet në veri për armatim dhe municion janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

“Me qëllim të parandalimit dhe sekuestrimit të armëve ilegale, Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës, nga data 6 gusht deri më datën 17 gusht ka zhvilluar disa operacione policore për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin Potokut".

"Këto operacione janë ndërmarrë pas pranimit të informatave në rrugë të ndryshme operative dhe në bashkëpunim me qytetarë të ndryshëm, mbi dyshimet për posedim të armëve ilegale”, tha Hoxha.

Sipas tij, pas pranimit dhe verifikimit të informatave, janë realizuar kontrolle në 45 lokacione, ku janë gjetur armë, municion dhe mjete të tjera të dyshuara të kundërligjshme.

Hoxha bëri të ditur se në mesin e armëve të konfiskuara janë 20 mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore.

Po ashtu janë gjetur dhe municione gjithsej 4,831 copë municione të kalibrave të ndryshëm. Plus, nuk mund të jetë për shkak që mund t'i shihni më vonë, do të keni mundësinë për një për një pamje. Po ashtu janë gjetur dhe pjesë të armëve, shumë tatujta, kondakë, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi dhe po ashtu rreth 10 pesha apo magazina.

Janë gjetur gjithashtu edhe shumë pajisje të tjera ushtarake, që të mos i emërojmë të gjitha, thika ushtarake, gazmaska, 10 palë dylbi, radiolidhje, mbajtëse për radio, sepata ushtarake, arka druri për municione dhe mjete të tjera ushtarake të cilat janë gjetur konfiskuar. Po ashtu është gjetur një numër i madh i uniformave, çanta ushtarake, këmisha ushtarake të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me pjesën ushtarake.

Po ashtu janë sekuestruar dhe dokumentacione, dokumentacione të mbrojtjes territoriale të Ish-Jugosllavisë, kartela të veteranëve të luftës, dokumente personale me numra serikë, ditarë të rojeve të pyllit dhe dorëshkrime të tjera të ndryshme për qëllime luftarake, leje të armëve të shkurtra, leje të armëve të gjuetisë dhe po ashtu leje të tjera të skaduara. Po ashtu gjatë operacioneve janë gjetur dhe sekuestruar edhe mjete monetare, para në vlerën prej 9,600 euro dhe po ashtu 5,000 franga”, u shpreh Hoxha.

Hoxha: Armatimi i gjetur në Zubin Potok mund të jetë përdorur në masakrën e Grupit të Intelektualëve

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se ekziston dyshimi që një pjesë e armatimit të gjetur dhe konfiskuar në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin-Potokut mund të jetë përdorur në rastin e vrasjes masive të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Hoxha është pyetur nga gazetarët lidhur me mundësinë e një lidhjeje mes armëve të ekspozuara gjatë konferencës për media dhe masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë, në zonën ku së fundmi janë zbuluar varreza masive dhe mbetje kockore.

Ai ka thënë se përgjigjja përfundimtare për këtë çështje do të mund të jepet vetëm pas ekzaminimit të armëve në laboratorë.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ekzaminimi i armatimit do të kryhet me prioritet.

Sveçla tha se ka urdhëruar Agjencinë e Forenzikës që menjëherë pas përfundimit të konferencës, armatimi i sekuestruar të dërgohet për ekzaminim dhe të procedohet me urgjencë në bashkëpunim me hetuesit e Policisë.

“Tashmë Agjencia e Forenzikës, kam urdhëruar që me prioritet për të ekzaminuar këto armë. Që nga momenti që përfundon kjo konferencë, gjithë ky armatim do të shkojë në Agjencinë e Forenzikës, e cila në bashkëpunim me policët që janë të kyçur në hetim të i procedojnë me urgjencë”, ka thënë Sveçla.