Ministria ruse e Mbrojtjes: Sulmi më i madh ukrainas deri më tani, u goditën 12 rajone
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi sot se mbrojtja ajrore ruse ka kapur 660 dronë ukrainas gjatë një sulmi të madh të zhvilluar mbrëmjen e kaluar ndaj 12 rajoneve ruse, si dhe ndaj Krimesë, të cilin Moska e konsideron sulmin më të madh deri më tani.
Sulmi i madh ndodhi disa orë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi në platformën X se kishte urdhëruar një “operacion ndikimi 40-ditor”, që besohet se nënkupton një përshkallëzim të sulmeve, me synim “ta detyrojë Rusinë t’i japë fund luftës”, pasi përpjekjet paqësore amerikane gjatë vitit të kaluar nuk kanë sjellë përparim.
Një shtëpi u shkatërrua në rajonin e Tulës, në jug të Moskës, ndërsa një grua u plagos, tha guvernatori i Tulës, Dmitry Milyaev.
Ai shtoi se u dëmtua edhe një linjë e energjisë elektrike dhe një objekt industrial i paidentifikuar në qytetin Novomoskovsk, raporton theindependent.
Portali i pavarur rus online Astra raportoi se një fabrikë kimike dhe një hidrocentral në Novomoskovsk u sulmuan dhe u përfshinë nga zjarri.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, gjithashtu njoftoi se 47 dronë ukrainas u rrëzuan teksa po fluturonin drejt Moskës, por nuk tregoi nëse kishte viktima apo dëme.
Dy persona humbën jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën gjatë sulmeve ruse në rajonin ukrainas të Harkivit në 24 orët e fundit, bëri të ditur sot kreu rajonal Oleg Synegubov.
Rusia sulmoi qytetin e Harkivit dhe 16 zona të tjera në të gjithë rajonin duke përdorur bomba ajrore të drejtuara dhe dronë të llojeve të ndryshme, tha Synegubov.
Forcat ajrore ukrainase njoftuan se gjatë natës kishin ndaluar 174 nga 189 dronët rusë të përdorur në sulm.
Zyrtarët ukrainas raportuan dëme në objekte energjetike, shtëpi dhe infrastrukturë tjetër civile në Kiev, Odesa dhe Sumy. /Telegrafi/


