Please enter at least 3 characters.

VITA kërkon publikimin e analizave të qumështit, Ministria thotë se raporti final do të dalë deri më 27 korrik

Përplasja mes Qumështores VITA dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me publikimin e rezultateve të analizave të mostrave të qumështit ka vazhduar edhe pas reagimeve të fundit nga të dyja palët.

VITA ka kërkuar publikimin e menjëhershëm të rezultateve të analizave, duke thënë se afati i dakorduar për publikimin e tyre ka kaluar.

Në një deklaratë për media, kompania ka rikujtuar se më 6 korrik kishte njoftuar se do të rifillonte grumbullimin e qumështit nga fermerët, pas një takimi ku, sipas saj, ministri dhe përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishin premtuar publikimin e rezultateve jo më larg se 13 korriku.

"Sot jemi me datë 16.07.2026 dhe pavarësisht shumë emailave dhe kërkesave zyrtare të drejtuara Ministrisë dhe AUV, rezultatet e analizave të mostrave po mbahen në AUV dhe nuk po publikohen nga Ministria apo AUV", thuhet në reagimin e VITA-s.

Kompania ka shprehur paqartësi për arsyet e vonesës, duke kërkuar që rezultatet e mostrave të marra më 2 korrik të bëhen publike.

"Ne si Qumështore Vita nuk e kemi të qartë se për çfarë arsye AUV nuk është në gjendje që të na përcjellë rezultatet e analizave të marra më datë 02.07.2026. Pra, kanë kaluar më shumë se 2 javë nga data e marrjes së mostrave", thuhet në deklaratë.

VITA ka deklaruar se është e bindur për cilësinë e produktit të saj.

Kompania ka bërë thirrje që rezultatet të publikohen sa më shpejt, duke thënë se kjo do t’u japë fund dyshimeve të ngritura në opinion.

"Fermerët nuk meritojnë heshtje. Qytetarët nuk meritojnë paqartësi. Kosova meriton institucione që mbajnë fjalën e dhënë!", ka deklaruar VITA.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka reaguar duke mohuar se ka dhënë ndonjë zotim zyrtar për publikimin e rezultateve më 13 korrik.

"Ministria nuk ka bërë asnjë zotim publik apo zyrtar se rezultatet e analizave do të publikoheshin më 13 korrik 2026. Për këtë arsye, pretendimi se është shkelur një afat i premtuar nuk qëndron", ka thënë ministria.

Sipas Ministrisë, rezultatet laboratorike janë vetëm një pjesë e procedurës së kontrollit zyrtar dhe para publikimit duhet të përfundojnë edhe verifikimet administrative, teknike dhe ligjore.

"Publikimi i rezultateve të pjesshme ose i analizave të veçuara para përfundimit të procedurës zyrtare do të ishte në kundërshtim me parimet e kontrollit zyrtar dhe do të mund të çonte në keqinterpretim të gjetjeve", thuhet në reagim.

Ministria ka bërë të ditur se Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-së ka konfirmuar se raporti përfundimtar do të dorëzohet jo më vonë se më 27 korrik 2026, ndërsa nëse procedurat përfundojnë më herët, raporti do të publikohet para këtij afati.

Në fund, Ministria thekson se nuk do të komentojë pretendimet e operatorëve ekonomikë derisa procedura zyrtare të përfundojë.

"Interesi ynë i vetëm është mbrojtja e shëndetit të konsumatorit, trajtimi i barabartë i të gjithë operatorëve ekonomikë dhe garantimi i integritetit të procesit të kontrollit zyrtar. Menjëherë pas përfundimit të procedurës, rezultatet dhe gjetjet përfundimtare do t'i bëhen publike në mënyrë transparente", përfundon njoftimi. /Telegrafi/