Please enter at least 3 characters.

Ministria dhe komuna të gatshme për investim në stadiumin e Prishtinës

2016/01/ministria-dhe-komuna-t-euml-gatshme-p-euml-r-investim-n-euml-stadiumin-e-prishtin-euml-s_hd.jpg

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tashmë ka vendosur që t’i ndajë 500 mijë euro për renovimin e stadiumit në kryeqytet, por kërkon që në këtë investim të kontribuojë edhe Komuna e Prishtinës.

“Ne i kemi të gatshme 500 mijë euro. Jemi gati qysh nesër për ta filluar procesin e rinovimit të stadiumit. Ne në fakt kemi qenë të gatshëm që dy-tri vite, por ish-udhëheqësit e komunës nuk iu kanë bashkuar nismës tonë. Kurse me udhëheqësin e re situata duket paksa më ndryshe”, ka theksuar ministri Memli Krasniqi për “Arenën”.

Sipas tij mjaftojnë që Komuna e Prishtinës të ndajë edhe 300 mijë euro për ta shndërruar stadiumin e kryeqytetit në një arenë të zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare.

“Stadiumi është pronë e komunës, andaj komuna duhet t’i ndajë rreth 300 mijë euro. Ne i kemi të gatshme 500 mijë euro dhe besoj se me 800 mijë euro stadiumin e Prishtinës e rregullojmë goxha mirë”, ka shtuar ministri.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur ministrinë në rregullimin e infrastrukturës së stadiumit, ndonëse ka lënë të kuptohet se rinovimi i stadiumit nuk bënë pjesë në projekt-buxhetin komunal.

“Ministria e Sportit ka shpreh gatishmërinë për të investuar në stadiumin e Prishtinës, i cili është në pronësi të komunës. Ministria na ka njoftuar se i ka mjetet e gatshme për të investuar, andaj e jemi të interesuar për ta mbështetur këtë investim në çdo mënyrë të mundshme dhe në përputhje me ligjet në fuqi, ka thënë Ahmeti për “Arenën”, për të shtuar: “Jemi shumë të interesuar për t’u hapur rrugë fillimit sa më të shpejtë të investimeve që stadiumi t’i plotësojë kriteret e UEFA-s e FIFA-s. Kryeqyteti e meriton një stadium të tillë, por për hapat e mëtutjeshëm sigurisht se do të vendosim së shpejti në koordinim me ministrinë dhe faktorët tjerë relevantë”. /KP/Telegrafi/