Please enter at least 3 characters.

Ministri izraelit i Mbrojtjes flet hapur: Të zhvendosën të gjithë palestinezët në Rafah

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar se i ka urdhëruar ushtrinë që të përgatisë një plan për të zhvendosur të gjithë palestinezët nga Gaza në një kamp në jug të territorit, sipas mediave izraelite.

Katz tha se synon të ndërtojë një “qytet humanitar” mbi rrënojat e Rafahut, fillimisht për të strehuar rreth 600 mijë njerëz, dhe në fund të gjithë popullsinë prej 2.1 milionë banorësh të Gazës.

Ai theksoi se banorët do të futeshin aty vetëm pasi të kalonin kontrolle sigurie për të verifikuar që nuk janë anëtarë të Hamasit, dhe se nuk do të lejoheshin të largoheshin nga kampi.

Nëse kushtet e lejojnë, ndërtimi do të fillojë gjatë një armëpushimi 60-ditor që aktualisht po negociohet mes Izraelit dhe Hamasit.

Një avokat izraelit për të drejtat e njeriut, Michael Sfard, e quajti këtë plan një “krim kundër njerëzimit” dhe “përgatitje për dëbim të përhershëm nga Gaza”.

OKB ka paralajmëruar se zhvendosja e detyruar e civilëve nga territoret e okupuara është e ndaluar rreptësisht nga ligji ndërkombëtar dhe përbën "pastrim etnik", shkruan bbc.

Ndërkohë, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu përshëndeti idenë e presidentit amerikan, Donald Trump për të zhvendosur palestinezët dhe për të menaxhuar Gazën pas luftës.

Trump deklaroi se kanë marrë mbështetje të madhe nga vendet arabe për këtë vizion, ndërsa Netanyahu shtoi se po punojnë për të gjetur vende që “duan t’u ofrojnë palestinezëve një të ardhme më të mirë”.

Megjithatë, vendet arabe dhe autoritetet palestineze kanë refuzuar çdo plan për zhvendosje të detyruar dhe mbështesin një plan alternativ egjiptian për rindërtimin e Gazës, me vlerë 53 miliardë dollarë.

Palestinezët kanë frikë se po përballen me një përsëritje të Nakbës së vitit 1948, kur u dëbuan qindra mijëra prej tyre nga shtëpitë e tyre pas krijimit të shtetit të Izraelit. /Telegrafi/