Mexhiti: Barazia dhe multietniciteti janë baza e Maqedonisë së Veriut që po ndërtojmë
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ka përcjellë urime duke theksuar rëndësinë e multietnicitetit, barazisë mes qytetarëve dhe zhvillimit të drejtë të vendit.
Mexhiti ka theksuar se Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe se të gjitha komunitetet duhet të jenë pjesë e barabartë e zhvillimit dhe së ardhmes së vendit.
“Prandaj, forcimi i multietnicitetit, respekti për secilin komunitet dhe barazia mes qytetarëve janë përcaktim i yni politik dhe institucional, për të cilin punojmë çdo ditë”, ka deklaruar Mexhiti.
Sipas tij, ky përcaktim po zbatohet përmes vendimeve, politikave dhe investimeve, ndërsa ka veçuar ndarjen e buxhetit dhe qasjen e komunave në resurset shtetërore.
“Për herë të parë, nën qeverisjen tonë, është bërë një ndarje më e drejtë e hises së buxhetit, duke u mundësuar komunave dhe qytetarëve qasje më të barabartë në resurset e shtetit”, ka thënë ai.
Mexhiti ka përmendur gjithashtu investimet në infrastrukturë, rrugë, spitale, shkolla dhe infrastrukturë publike, duke theksuar se edhe arsimi dhe kultura po marrin, sipas tij, më shumë vëmendje.
Ai ka nënvizuar se barazia nuk duhet të matet vetëm përmes përfaqësimit politik dhe pozitave, por edhe përmes mënyrës se si shteti i shpërndan resurset dhe mundësitë për zhvillim.
“Barazia nuk matet veç me përfaqësim e pozita. Ajo matet edhe me atë se ku investon shteti, sa investon dhe sa drejt i shpërndan resurset dhe mundësitë për zhvillim”, ka deklaruar Mexhiti.
Në fund, bashkëkryetari i VLEN-it ka thënë se përgjegjësia e institucioneve është ndërtimi i një shteti që respekton karakterin e tij multietnik dhe garanton zhvillim të bazuar në barazi.
“Urime 8 Shtatori, Dita e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut!”, ka përfunduar Mexhiti.


