Menduh Thaçi vs Ziadin Sela: Sot kryqëzojnë heshtat!
Thaçi ishte i padiskutueshëm në krye të partisë deri në zgjedhjet e kaluara, kur nisi një përplasje me kryetarin aktual të Komunës së Strugës, kryesisht si shkëndijë e mospajtimeve rreth emrave që duhej të futeshin në listën e kandidatëve për deputetë.
Që atëherë, Sela është vënë në krye të nismës për reformimin e PDSH-së, duke deklaruar se synon që ta shërojë nga brenda një kala të sëmurë e të uzurpuar nga Menduh Thaçi.
Megjithatë, fushata për të reformuar strukturat e PDSH-së u materializua më shumë si krijim i strukturave paralele, që kulmuan me thirrjen nga përkrahësit e Selës të një kuvendi në Saraj, pikërisht sot kur mbahet Kongresi i PDSH-së.
Sot pritet që të matet forca ndërmjet dy grupeve, që do të reflektohet nga pjesëmarrja ose bojkotimi i Kongresit të PDSH-së, ku kandidat i vetëm është lideri aktual Menduh Thaçi.
Zyrtarisht, PDSH-ja ka njoftuar se ky kongres po mbahet për shkak të zhvillimeve aktuale në vend dhe mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Motoja e Kongresit është “Të ecim drejtë”, ndërsa do të jenë të pranishëm 683 delegatë. /Zhurnal/


