Me kore kundër Messit, tifozët e PSG-së mblidhen para zyrave të klubit
Tifozët e Paris Saint-Germainit janë grumbulluar para zyrave të klubit duke kënduar kore ofenduese kundrejt Lionel Messit.
Superylli argjentinas tash e një kohë nuk ka marrëdhënie të mira me tifozët e klubit francez, ndërsa gjithçka ka kulmuar pas lajmit për largimin e tij.
Vendimi i pamiratuar i 35-vjeçarit për të udhëtuar drejt Arabisë Saudite u sanksionua me pezullim dyjavor nga PSG-ja.
Mirëpo, menjëherë pas dolën raportime që konfirmonin se Messi nuk do të jetë në Parc des Princes në sezonin e ardhshëm.
Për më shumë, është njoftuar se këtë vendim e kishte marrë para një muaji dhe padyshim që tifozët janë nevrikosur duke reaguar kundër tij.
Krahas Messit, pjesë e koreve ofenduese të tifozëve të PSG-së ishin edhe mesfushori italian, Marco Verratti dhe sulmuesi brazilian, Neymar. /Telegrafi/


