Mbreti Charles në SHBA - dalin pretendime për lidhje familjare me Trumpin
Mbreti Charles III-të sot në Washington fillon një seri takimesh me zyrtarë amerikanë, përfshirë një takim me presidentin amerikan, Donald Trump dhe një fjalim para Kongresit, në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Charles ka mbërritur në kryeqytetin amerikan së bashku me bashkëshorten e tij Camilla, ndërsa programi përfshin një takim në Shtëpinë e Bardhë, një fjalim para Kongresit amerikan dhe një darkë shtetërore.
Kjo do të jetë hera e parë që një monark britanik i drejtohet Kongresit që nga fjalimi i Mbretëreshës Elizabeth II-të në vitin 1991, ku u theksua historia e përbashkët dhe vlerat demokratike të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Vizita po zhvillohet në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Londrës janë të ngarkuara për shkak të përkeqësimit të lidhjeve mes Trumpit dhe kryeministrit britanik, Keir Starmer.
Trump në muajt e fundit ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për luftën në Iran, ka kritikuar Starmerin dhe ka kërcënuar me tarifa të reja ndaj Britanisë së Madhe nëse nuk hiqet taksa për shërbimet digjitale për kompanitë teknologjike amerikane.
Presidenti amerikan, në prag të takimit, ka folur sërish pozitivisht për monarkun britanik, duke e quajtur atë “mik” dhe “njeri i shkëlqyer”. Pas raportimeve të Daily Mail se Trump dhe Charles janë në një farë mënyre të afërm të largët, presidenti amerikan shkroi në rrjetet sociale “Wow, kjo është bukur. Gjithmonë kam dashur të jetoj në Pallatin Buckingham!!!”
Në prag të fjalimit të Charles në Kongres janë shfaqur edhe thirrje që ai të përmendë rastin e Jeffrey Epstein.
Nuk ka shenja se ai do ta bëjë këtë, megjithëse skandali ka prekur edhe vëllain e tij, ish-princin Andrew, i cili mohon akuzat për sjellje të pahijshme. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se marrëdhënia mes Trump dhe Charles është forcuar më tej pas vizitës shtetërore të presidentit në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar. /Telegrafi/


