Mbikalimi te shkolla “Ali SokoIi” kthehet në rrezik për qytetarët - lëvizin xhamat e strukturës
Mbikalimi këmbësor pranë Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, i njohur ndryshe si zona te “Rrethi me Flamur”, është shndërruar në një rrezik iminent për jetën e qytetarëve.
Në pamjet e dërguara në redaksinë e Telegrafit, panelet e xhamit të kësaj strukture kanë filluar të lëvizin dhe të shkëputen, duke detyruar autoritetet që të rrethojnë zonën me shirita sigurie.
Përveç rrezikut nga rënia e xhamave mbi kokat e kalimtarëve dhe automjeteve që qarkullojnë poshtë tij, gjendja brenda mbikalimit është alarmante.
Në pjesën ku këmbësorët duhet të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, dyshemeja paraqitet e dëmtuar rëndë dhe me gropa, duke krijuar mundësi të larta për lëndime direkte të secilit që tenton ta përdorë atë.
Ky degradim fizik vjen mbi një krizë të gjatë të mungesës së mirëmbajtjes në kryeqytet. Hapësira e mbikalimit vazhdon të jetë e pushtuar nga mbeturinat e shumta, ndotja dhe kundërmimet e forta, duke e bërë atë të pothuajse të papërdorshëm.
Sipas raportimeve të mëparshme të realizuara nga Telegrafi, ky objekt vuante prej kohësh nga shkallët e dëmtuara, mungesa e ndriçimit dhe infrastruktura plotësisht e pakasueshme për nënat me karroca apo personat me aftësi të kufizuara.
Për më tepër, gjatë natës hapësira shpesh shfrytëzohej si strehë nga personat e pastrehë, duke rritur pasigurinë për kalimtarët e natës. /Telegrafi/


