Mashtroi për termin për viza dhe donacione, ngritët aktakuzë ndaj një personi në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet Gj.M., nën dyshimin se ka kryer në vazhdimësi veprën penale "Mashtrimi", duke u paraqitur në mënyrë të rreme si përfaqësuese e një organizate joqeveritare dhe duke përfituar mjete financiare nga qytetarët.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti i Përgjithshëm, pasi ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura, gjatë periudhës 2022–2024, ka mashtruar një numër të konsiderueshëm qytetarësh përmes paraqitjes së rreme të fakteve.
Sipas aktakuzës, ajo u premtonte qytetarëve përfitimin e donacioneve, përfshirë krerë gjedhësh, sera bujqësore, si dhe ndërmjetësim për sigurimin e termineve për viza, në këmbim të pagesave të ndryshme.
"Me këto veprime, e pandehura dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën e përgjithshme prej 11,650 euro", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ta shpallë fajtore të pandehurën për veprën penale që i vihet në barrë dhe ta dënojë sipas ligjit. /Telegrafi/


