Makina e veçantë Porsche krijuar në bashkëpunim me Dua Lipën, del në ankand – të ardhurat do të shkojnë për Fondacionin Sunny Hill
Dua Lipa ka bashkëpunuar me prodhuesin legjendar të makinave Porsche për të krijuar një version të personalizuar të modelit të fuqishëm 911 GT3 RS, i cili u prezantua për herë të parë gjatë fundjavës së Garës së Çmimit të Madh në Monako.
Makina ekskluzive, e quajtur Dua Lipa Rennstall GT3 RS, është e pajisur me paketën e lakmuar Weissach, rrota magnezi, komponentë nga fibra karboni, frena Porsche Ceramic Composite dhe motor 4.0 litra atmosferik me gjashtë cilindra që arrin deri në 9,000 rpm.
Pamja e jashtme është e veshur me një grafikë të veçantë shumëngjyrëshe, të dizajnuar personalisht nga vetë Dua Lipa, dhe është frymëzuar nga turneu i saj “Radical Optimism”.
Të gjitha të ardhurat nga ankandi do të dhurohen për Fondacionin Sunny Hill, organizatë bamirëse e themeluar nga këngëtarja për të ndihmuar komunitetet në Kosovë.
Makina do të ekspozohet në Goodwood Festival of Speed dhe në #SothebysParis, ndërsa ankandi është i hapur deri më 31 korrik. Regjistrimi për ofertuesit është aktiv në faqen zyrtare të RM Sotheby’s. /Telegrafi/


