Maguire: Manchester United mund ta fitojë Ligën Premier
Harry Maguire ka deklaruar se në kampin e Manchester Unitedit ekziston besimi se skuadra mund të luftojë për titullin e Ligës Premier nën drejtimin e Michael Carrick këtë sezon.
Mbrojtësi anglez po hyn në sezonin e tij të tetë në “Old Trafford”, periudhë gjatë së cilës ka përjetuar më shumë momente të vështira sesa suksese.
33-vjeçari ka fituar vetëm dy trofe me Manchester Unitedin, Kupën EFL dhe FA Cup, ndërsa ka humbur edhe dy finale të Ligës së Evropës. Për më tepër, ai ka kaluar periudha të vështira sa i përket formës së tij.
Pas rikthimit te klubi në janar, pas largimit të Amorimit, asnjë skuadër në Ligën Premier nuk fitoi më shumë ndeshje se Manchester Unitedi i Carrickut, me 12 fitore. “Djajtë e Kuq” gjithashtu shënuan më shumë gola se çdo ekip tjetër gjatë kësaj periudhe, me 33 të tillë.
Kjo e ndihmoi Manchester Unitedin të përfundonte sezonin në vendin e tretë dhe të siguronte rikthimin në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, Maguire beson se skuadra duhet të synojë edhe më lart në sezonin 2026/27.
“Duam të përmirësohemi në krahasim me sezonin e kaluar. Të gjithë duan ta fitojnë Ligën Premier, sigurisht që ky do të jetë synimi ynë. Këtë e kërkon ky klub”.
“Ne kemi besimin se mund të jemi shumë konkurrues dhe se mund ta mposhtim çdo kundërshtar në ditën tonë. Do të jetë një sezon emocionues”.
“Gjatë kohës sime në klub kemi pasur disa grupe shumë të bashkuara, por pa dyshim që ky është një prej grupeve më të afërta”.
“Kalimi i kohës së bashku dhe fitimi i ndeshjeve të futbollit i afron edhe më shumë ekipet”.
“Të humbësh finalen e Ligës së Evropës, të përfundosh në vendin e 15-të dhe më pas të ngjitesh në vendin e tretë duke e rikthyer klubin në Ligën e Kampionëve – ishte një sezon i mirë, por nuk mund të ndalemi këtu”./Telegrafi/


