Please enter at least 3 characters.

Fotot e para të Maduros nga burgu, ky është mesazhi i tij

Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka publikuar në rrjetin social X disa fotografi të realizuara në New York, ku mbahet i arrestuar që prej 3 janarit.

Në imazhet e shpërndara, Maduro shfaqet i veshur me një kostum sportiv gri, duke buzëqeshur dhe duke bërë shenjën e fitores me gishta përpara kamerës.



Ai i përshkruan fotografitë si një “dhuratë të vogël dashurie dhe shprese”, të dedikuar për nipërit e mbesat, fëmijët dhe të gjithë ata që, sipas tij, vazhdojnë ta mbështesin.

Në mesazhin shoqërues, Maduro falënderon ndjekësit për lutjet, solidaritetin dhe mbështetjen që thotë se i kanë dhënë gjatë kësaj periudhe.

“Dua ta dini se jemi të palëkundur, me zemrat të mbushura me dashurinë tuaj”, shkruan ai, ndërsa i fton mbështetësit ta mirëpresin publikimin e fotografive “me gëzim dhe shpresë”.

Në një tjetër pjesë të mesazhit, ai përmend bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke thënë se të dy “i përqafojnë përgjithmonë” ndjekësit e tyre dhe se besimi te Zoti mbetet i pandryshuar.

Maduro e mbyll postimin me një citim nga apostulli Pal: “Do të vazhdojmë të jemi të fortë, të qetë dhe plot besim. Zoti është me ne. Venezuela do të rilindë”.

Ish-presidenti venezuelian u arrestua më 3 janar gjatë një operacioni ushtarak amerikan në Venezuelë dhe më pas u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku vijon të mbahet në paraburgim.