LVV: PZAP dhe Supremja u bënë mjet bllokimi të tubimit tonë në sheshin “Skënderbeu”
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme, duke i cilësuar si “vegla të bllokimit” të tubimit në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe si mohim të së drejtës së saj për tubim.
Sipas LVV-së, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar kërkesë për sheshin më 30 prill – dhjetë ditë para se të ekzistonte organi kompetent që jep leje për tubime, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ).
Megjithatë, siç pretendohet në reagim, kjo kërkesë po trajtohet tani sikur të ishte “leje e fituar”.
LVV thekson se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin: kërkesa e saj është bërë më 8 maj, ditën kur KKZ u konstituua zyrtarisht në Prishtinë, duke qenë – sipas saj – e para që ka kërkuar leje nga organi kompetent.
“Por ligji, si duket, nuk vlen njëlloj për të gjithë”, thuhet në reagim, ku kritikohet “logjika e re” që, sipas LVV-së, po vendoset si precedent: mjafton të dorëzohet një kërkesë para se institucioni përkatës të ekzistojë dhe ajo kërkesë të shndërrohet në të drejtë, duke u përdorur më pas për t’ua mohuar të tjerëve një të drejtë kushtetuese.
LVV e quan këtë “shkelje të ligjit dhe manipulim të pastër”, duke paralajmëruar se pranimi i një precedenti të tillë do të krijonte mundësinë që kushdo të dorëzojë kërkesa për tubime zgjedhore edhe për zgjedhje që mund të mbahen pas vitesh, dhe me këtë arsyetim “absurd” të bllokojë të tjerët edhe para se të krijohet organi kompetent.
Në fund, LVV insiston se kjo nuk është procedurë dhe nuk përbën zbatim të ligjit, por cenim të së drejtës së tubimit të garantuar me Kushtetutë.


