Lushtaku arrin në stacionin policor, pritet të nis intervistimi i tij
Kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka mbërritur në stacionin policor teksa pritet të nis intervistimi i tij lidhur me sulmin fizik ndaj kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani.
Pak para Lushtaku në stacion kanë mbërritur edhe ekipet e hetuesisë nga Prishtina.
Lushtaku u pritë me brohoritje nga qytetarë të shumtë që janë mbledhur pranë stacionit policor në Skenderaj për ta mbështetur.
Ndryshe, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se nëse kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku arrestohet me dhunë nga forcat e rendit atëherë edhe qytetarët do të reagojnë dhunshëm.
Ai para policisë në Skënderaj u shpreh se rastet e ndodhura gjatë ditës së djeshme janë turp.
Sami Lushtaku ka lëshuar një deklaratë zyrtare në profilin e tij zyrtar në Facebook, pak para hyrjes në stacion policor në Skenderaj, ku do të intervistohet rreth incidentit të djeshëm me Hysni Mehanin e LVV-së.
Lushtaku thotë se ai i përgjigjet Republikës dhe drejtësisë, duke i respektuar institucionet.
“Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit.
Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë.
I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka", ka shkruar mes tjerash Lushtaku.


