Lumbardhi konfirmon kandidaturën e tij për deputet, fituesi i BBVK provon fatin për herë të dytë
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, Lumbardh Salihu ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e tij për deputet, duke ndarë me ndjekësit një foto me mbishkrimin: “It’s official. Kandidat për Deputet”.
Ky njoftim vjen në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Kjo shënon përpjekjen e tij të dytë për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës brenda këtij viti.
Fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP Kosova kishte debutuar në skenën politike në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke garuar nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Edhe pse ishte hera e parë që ai provoi vetën në politikë, Salihu arriti të grumbullojë mbi gjashtë mijë vota, një rezultat mjaft i respektueshëm për një debutues. Megjithatë, kjo shifër nuk i siguroi ulësen në parlament në raundin e parë.
Tani, me një bazë të konfirmuar votuesish dhe përvojën e fituar nga fushata e parë, ish-banori i njohur i televizionit po kërkon sërish besimin e qytetarëve. Mbetet për t’u parë nëse popullariteti dhe mobilizimi i tij i ri do të rezultojnë me sukses në kutitë e votimit në fund të këtij muaji. /Telegrafi/


