Please enter at least 3 characters.

Luani ikën nga një shtëpi në Pakistan, sulmon një grua dhe fëmijët e saj – arrestohen pronarët e kafshës së egër

Pronarët e një luani shtëpiak që iku nga një fermë dhe lëndoi një grua dhe dy fëmijët, e saj janë arrestuar në qytetin lindor pakistanez të Lahores.

Arrestimi vjen pas shfaqjes së pamjeve dramatike, që tregojnë luanin duke kërcyer mbi një mur përpara se të sulmonte viktimat në një zonë banimi, transmeton Telegrafi.

Luani shihet duke kërcyer mbi shpinën e gruas dhe duke e rrëzuar atë në tokë, ndërsa një burrë nxitoi heroikisht drejt saj në një përpjekje për ta trembur kafshën.

Gruaja dhe fëmijët e saj pesë dhe shtatë vjeç pësuan lëndime në fytyrë dhe krahë të mërkurën në mbrëmje kur luani iku nga kafazi i tij, tha zyrtari i policisë Faisal Kamran.

Sipas një raporti të policisë, babai i fëmijëve i tha policisë se pronarët e luanit qëndronin pranë dhe shikonin duke mos bërë asnjë përpjekje për ta frenuar atë.

Ai gjithashtu i tha policisë se pronarët ishin "të argëtuar që panë luanin e tyre të sulmonte".

Të tre viktimat u dërguan me urgjencë në spital, por nuk ishin në gjendje kritike.

Luani më vonë u kthye në fermë të pronarëve dhe u zhvendos në një park kafshësh të egra, tha policia.

Mbajtja e kafshëve ekzotike si luanët konsiderohet simbol statusi midis disa pakistanezëve të pasur, pavarësisht kërkesave ligjore dhe tarifave të larta që lidhen me pronësinë. /Telegrafi/