Please enter at least 3 characters.

Logopedia Mirgena Preniqi thotë se belbëzimi mund të vijë si pasojë e stresit dhe ankthit

Logopedia Mirgena Preniqi ka folur për ndikimin që stresi dhe ankthi mund të kenë në të folurin, duke theksuar se këto gjendje emocionale shpesh lidhen me shfaqjen ose përkeqësimin e belbëzimit tek fëmijët dhe të rriturit.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, Preniqi shpjegoi se stresi nuk prek vetëm gjendjen emocionale të një personi, por ndikon drejtpërdrejt edhe në mekanizmat neurofiziologjikë të të folurit.

“Stresi dhe ankthi përjetohen shumë edhe prej fëmijëve dhe kjo mandej prek mekanizmat neurofiziologjikë të të folurit”, deklaroi ajo.



Sipas Preniqit, në momentet kur aktivizohet sistemi nervor simpatik – sistemi që reagon ndaj stresit dhe tensionit – prishet koordinimi normal mes frymëmarrjes, fonacionit dhe artikulimit.

“Kemi problem në koordinimin mes frymëmarrjes, fonacionit dhe artikulimit, që janë mekanizma shumë të rëndësishëm që ndikojnë në rrjedhshmërinë e të folurit”, tha logopedia.

Ajo shtoi se kur ky koordinim ndikohet nga ankthi apo tensioni emocional, atëherë mund të shfaqen bllokime gjatë të folurit, përsëritje të fjalëve apo mosrrjedhshmëri.

“Në momentin që këto mekanizma nuk koordinohen siç duhet për shkak të stresit, vijmë deri tek belbëzimi ose mosrrjedhshmëria”, u shpreh Preniqi.

Sipas saj, tek personat që tashmë kanë belbëzim, stresi dhe ankthi mund ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën.

“Tek personat që kanë belbëzim, kjo paraqitet në më shumë bllokada dhe përsëritje gjatë të folurit”, potencoi ajo.

Për më shumë shikoni podcastin "Shëndeti në rend të parë":


- YouTubewww.youtube.com

true