Liridon Pnishi, gjyqtari më i ri në Gjykatën Themelore të Gjakovës
Gjykata Themelore në Gjakovë ka prezentuar sot gjyqtarin më të ri të kësaj Gjykatës, Liridon Pnishi.
Në postimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë bëhet e ditur se Pnishi është një profesionist i përkushtuar në fushën e drejtësisë, i cili me përvojë dhe integritet ka ndërtuar një karrierë të suksesshme juridike.
Sipas njoftimit të bërë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, përvoja profesionale e Pnishit, nisi gjatë kohës së studimeve, kur për dhjetë muaj punoi si praktikant dhe asistent ligjor në kuadër të programit “Kërko drejtësi”, të zbatuar nga NCSC. Pas diplomimit, ai vijoi trajektoren e tij profesionale me një praktikë njëvjeçare në Odën e Avokatëve të Kosovës, duke fituar përvojë të çmuar në fushën ligjore.
Më pas nga shkurti i vitit 2020 deri në shkurt 2021, ai u angazhua në sektorin e shoqërisë civile, si pjesë e Institutit të Kosovës për Drejtësi, ku kontribuoi në monitorimin dhe analizën e sistemit gjyqësor.
Hapi i tij i radhës në sistemin e drejtësisë erdhi më 20 qershor 2022, kur ai mori detyrën e zyrtarit ligjor në Prokurorinë Themelore në Prizren. Gjatë kësaj kohe, ai përfundoi me sukses provimin e jurisprudencës, duke e forcuar edhe më shumë bazën e tij profesionale.
Nga shkurt 2024 deri në gusht 2024, ai shërbeu si bashkëpunëtor profesional në të njëjtën prokurori, derisa më 26 gusht 2024 u emërua gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë.


