Liria ndryshe nga skuadrat tjera
Këto përforcime nuk janë bërë vetëm nga ‘tregu’ kosovar por edhe nga ai shqiptar.
Drejtuesit ë këtij klubi ditë më parë kishin paralajmëruar se në skuadrën e Lirisë do të arrijnë futbollistë të huaj. Në këtë grup të futbollistëve bënin pjesë italianë, brazilian dhe uruguaian.
KF Liria ka prezantuar transferimin e parë, futbollistin italian Mattia Picco. Ky futbollist është i pari italian në historinë e futbollit kosovar. Picco është bërë pjesë e Lirisë falë ndërmjetësuesit Rijat Shala, i cili është angazhuar që futbollisti italian të bëhet pjesë e ekipit nga Prizreni.
“Me ardhjen e Piccos, me të cilin do të lidhim kontratë dhe me ardhjen edhe të një braziliani dhe uruguajasit, do të përmbyllim hapësirat e kërkuara dhe objektivat si klub, lidhur me afatin kalimtar”, ka thënë Erxhan Dana, nga kryesia e klubit.
Me ardhjen në skuadrën e re, përshtypjen e parë e ka dhënë edhe futbollisti italian, Mattia Picco.
“Përshtypja e parë është impresive. Kam dëgjuar për Kosovën dhe shqiptarët si njerëz shumë të dashur. Ndërsa, futbollistë shqiptar ka gjithandej si nga Kosova e Shqipëria në kampionatet italiane”, ka thënë Picco.
Mattia Picco, vjen nga skuadra ‘Casteggiobroni’ e Serisë ‘D’. Luan në pozitën e qendërmbrojtësit, pozitë të cilën Liria me ngulm ka kërkuar ta plotësojë.
Përveç futbollistit italian, Liria ka prezantuar edhe lojtarin Noris Kozmaj, që në Prizren ka ardhur para tre ditësh nga Akademia e njohur e Vllaznisë së Shkodrës, që luan në pozitën e qendërsulmuesit. Ai, ende po testohet dhe vendimi për të merret në ditët në vijim.


