Leverkuseni ndal serinë e Bayernit, i mposht me rikthim
Bayer Leverkusen ka fituar me rezultat 3-1 derbin ndaj Bayern Munichut, i cili ishte i vlefshëm për javën e 20-të të Bundesligas.
Pas shtatë fitoreve radhazi në kampionat, Bavarezët janë ndalur nga Leverkuseni, të cilët i kanë mposhtur në shtëpi.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë, por me Bayernin që treguan diçka më shumë dhe gjetën edhe golin.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 41-të dhe ishte Leon Goretzka që shënoi për 0-1 pas asistimit të Thomas Muller.
Në pjesën e dytë, Leverkuseni arriti të kthehet në lojë duke shkrirë epërsinë dhe duke rikthyer gjithë rezultatin në favor të vetin.
Goli i barazimit erdhi në minutën e 53-të dhe ishte Leon Bailey, i cili shënoi për barazimin 1-1.
Në minutën e 61-të ishte Kevin Volland që gjeti golin e epërsisë pasi shënoi për 2-1 pas asistimit të Karim Bellarabit.
Vendasit nuk u ndalën me kaq pasi në minutën e 89-të ishte Lucas Alario, i cili shënoi për 3-1 duke vulosur rezultatin përfundimtar.
Pas kësaj fitore, Leverkuseni e sheh veten në pozitën e shtatë me 30 pikë, ndërsa Bayerni i dyti me 42 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Bavarezët e presin Schalkes, ndërsa Leverkuseni udhëton te Mainzi. /Telegrafi/


