Please enter at least 3 characters.

Lëtër z.Albin Kurti

Zotëri Albin Kurti, unë jam një nënë që ka 3 fëmijë, dhe jetoj në Prishtinë. Në rininë time, edhe unë kisha ideale, dhe ia kushtoja një pjesë të mirë të mendimeve dhe besimeve çështjes shqiptare. Pasi që linda fëmijën e parë, përnjëherë u fashit zjarri im, dhe fëmija u bë gjithë jeta ime. I shikova se si rriteshin këta fëmijë, dhe gjithnjë jam përpjekur që t’i rris më së miri, dhe të rrënjosja pikëpamje pozitive e ndoshta ca edhe romantike mbi jetën. Mendoja se ky do të ishte akti im më patriotik. E në rrugët e tyre do t’i përkrahja. A. dhe D. zgjodhën rrugë të tjera të respektueshme, ndërsa V. zgjodhi politikën si përgjigje për brengat e këtij kombi. Ai do të bëhet politikan, e jam e sigurt, me mendje të shëndosh dhe zemër të pastër. Unë shqetësohem për të, sepse në politikë kanë futur duart edhe disa nga mendjet më të errëta të shoqërisë sonë.
Si nënë gjithnjë shoh hapat e tij me kujdes, dhe posa u bë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, vëmendja ime u kthye plotësisht kah ju. Unë dëshiroj t’ju njoh, dhe t’iu dua ashtu si ju do im bir. Dua që ju ta fitoni besimin tim, sikur të tijin.

Isha duke larë enët kur dëgjova lajmin e protestës suaj të fundit në Maqedoni. Më dolën lot nga gëzimi. Në atë eufori ua thash të gjithëve, se ja, im bir zgjodhi ata që duan t’ia kthejnë nderin dhe krenarinë popullit të vet kudo që ndodhet. Se ishit ju që i thatë qeverisë së Maqedonisë, se shqiptarët atje nuk janë të vetëm.
Ishit ju që dhatë kushtrimin e vëllazërisë, dhe mbi aktet tuaja njerëzit filluan të ndërtonin ëndrra. Ju e bëtë atë, se nuk kishte kush tjetër. Skena politike në Kosovë është mjaftë e dobët dhe e kalbëzuar, ndërsa ajo në Shqipëri destruktive. E si pasojë, të painteresuara për gjëra që ndodhin më larg se hunda e vet.
E, im bir është me ju.

Më dëgjo!

Gjithnjë kam pasur ndjenjën që hapat tuaj ndonjëherë kalonin në ekstremizëm. Por unë jam vetëm një nënë, e ku di unë? Ndoshta kanë qenë edhe të nevojshëm.
Por jetën e njeriut e vë mbi të gjitha. Në protestat ku u vranë tre vetë, unë nuk ju arsyetova dot. Ç’donit të bënit? Nga të erdhi ajo papjekuri që të mendosh për vandalizimin e institucioneve tona? Po ne, ishim ne që punuam tërë këto vite për t’i vendosur aty ku janë! Si guxove ta mendosh përdhosjen e namit të tyre?!
Populli ynë gjakoi aq shumë që ti vendosë ato objekte aty ku janë. E ata me votat e tyre do të vendosin se kë duan të lejojnë të hyjë aty. E përse pyetesh ti? Sepse janë të tijat, vuajti për të pasur një shtet të vetin. Ndërsa ti vendose, kokë në vete, që të hysh aty me një turmë të zemëruar.
Dridhem kur e mendoj që njëri ndër të vrarët mund të ishte edhe im bir. Eh, sa më trishton egoizmi im! Ata që u vranë ishin bij të dikujt. Mllefi im është i pafund për ata polic rumun, dhe dëshiroj me gjithë zemër që ti dënoj ndërgjegjja e tyre. Se drejtësi ligjore nuk u vu.
Duhet ta them se edhe pse pasojat e kësaj proteste ishin shkatërruese, po të lejoheshe të përmbushje planin tënd, pasojat do të ishin po njësoj të hidhëta.

Një popull që vandalizonte institucionet e veta, do humbiste për një kohë të gjatë respektin e botës. E më keq, edhe respektin për vete. Ku keni dëgjuar ju që të vandalizohet Shtëpia e Bardhë?
Fajtorët e asaj proteste, unë them se duhet t’i falim e të harrojmë, se nuk kemi mundësi për të vënë drejtësi. Jo tani. Dhe sigurisht, drejtësia do të kërkonte at që i përket edhe tek ju z.Albin Kurti.

Si pashëm që jeni! Me ato flokë kaçurrel dhe të zi dukeni si figurë historike. Ti edhe i tillë je, brezat e ardhshëm do përmendin emrin tënd. Më dëgjo me vëmendje, se kur do të flasin për ty dhe lëvizjen tënde, nuk dua që të përmenden vetëm aktet tuaja të një rebeli të papjekur. Ideali që ju keni dhënë, ose thelbi i tij “shqiptarët për vete” është shumë më madhështor, prandaj duhet të kesh kujdes në hapat tuaj. A jeni me të vërtet ndjekës i mësimeve të Marksit/Engelsit? Unë jam e thjeshtë dhe e pagdhendur. Me sa di unë ata flasin për një lloj utopie. Unë di se mësimet e tyre dështuan dhe në praktik ato u bënë tallje e percudnim i humanizmit. Ato u bënë purgator i popullit të Shqipërisë për 50 vite, për të larë gabimin e tyre.

Megjithatë unë besoj se ata filozofë kanë pasur qëllime të mira. Po të ishin gjallë me siguri që do të përsosnin mësimet e tyre, do të mësonin nga historia.
Por ti, të lutem bëhu i mençur. Jeto në këto kohëra, dhe përshtatju atyre që të jesh më efikas. Bashkoje kombin në krenarinë e të qenit shqiptar. Kjo është utopia jonë. Na jep shpresë se edhe ti do të ndihmosh që ne të jemi aty ku e kemi vendin, faktori më me ndikim në Ballkan. Bëhu ti udhëheqës në ideale, se të gjithë atë duan. Shumica këtu janë apatetik sa i përket politikës, sepse ne si popull nuk durojmë dot gënjeshtrën dhe të keqen. Shumica e popullit nuk votojnë, jo sepse nuk duan, por nuk kan për kë. Rugova pati gjithë popullin me vete, atëherë kur jipte guxim për të shpresuar. Të gjithë e donin kur në ëndërrat e tyre më të mira futi fjalën pavarësi, përparim, dhe vetvendosje. E pastaj vullneti dhe dëshira e një populli, i bëri ato realitet.

Ka ardhur koha që ju të dilni nga ngushtica ku keni hyrë, të zgjeroni dijen tuaj, dhe të lini prapa namin e rebelit që i përngjan Ce Guevarës. Ka ardhur koha që ju të rrezatoni plot mençuri, e t’i jepni Lëvizjes Vetëvendosje një karakter kombëtar, madhështor dhe me shumë ndikim. Lejo që lëvizja juaj të evoluojë. Inkurajoje atë. Shkarko barrën e saj të edhe mbi supet të të tjerëve, të të rinjve. Duaj, që këtë lëvizje edhe të tjerët ta shohin si të tyren. E nëse duhet, për të ndryshuar realitetin në dobi tonën, të hyni në politikë me mendjet më të ndritura që mund t’i tërhiqni. Ta dini se të rinjtë janë e ardhmja jonë, ata janë shumicë absolute. Të rinjtë me mendje të shëndosha, duhet të jenë edhe e ardhmja e lëvizjes suaj. Rruga e vetme për të sjellë ndryshim të njëmendët në Kosovë, është po të kesh ideale dhe dashuri të vërtet për Kosovën. Tani për tani ju jeni i vetmi i këtij lloji. Më dëgjoni!
Unë njoh tim bir.
Ai ka një shpirt të butë.
Ai ka një mendje inteligjente.
Ai ka ndërgjegje të pastër.
Ai ka vullnet për të bërë ndryshime.
Ai është edhe i pjekur për të marrë përgjegjësi.
Ka edhe shumë të rinj si ai, janë të panumërt.