Lazio e transferon Gashin nëse e siguron Ligën e Kampionëve
Një fakt i tillë nuk është aspak i çuditshëm edhe pse Gashi aktualisht është pjesë e skuadrës së Baselit. Sipas faqes së specializuar të tregut të futbollistëve, Tuttomercatoweb.it, bomberi kuqezi do të transferohet te Lazio në rast se bardhëkaltërit sigurojnë një biletë për në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm dhe në këtë optikë, sfida e së hënës është jetike për këtë objektiv.
Sipas informacioneve mediatike nga përtej Adriatikut, sulmuesi i Baselit ndiqet prej kohësh nga drejtori sportiv, Igli Tare, i cili do ta nisë një ofensivë gjatë afatit të verës për ta spostuar në “Olimpico”.
21 golat e realizuar gjatë këtij sezoni me kampionët e Zvicrës nuk kanë kaluar pa rënë në sy pasi Gashi ndiqet edhe nga disa klube të tjera evropiane. Aktualisht,
Lazio mban vendin e tretë në klasifikimin e Serie A me dy javë nga fundi i sezonit dhe ruajtja e këtij pozicioni ose rikthimi në vendin e dytë do të rezultonte një sezon i suksesshëm dhe në këtë mënyrë, presidenti Lotito do të kishte dorë të lirë për të shpenzuar shumën e kërkuar nga Baseli për lojtarin shqiptar.


