Please enter at least 3 characters.

Latifi kërkon ndërhyrje urgjente në rrugët rajonale Kramovik-Xërxë dhe Rahovec-Krushë e Madhe

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar ndërhyrje urgjente për rregullimin e rrugëve rajonale Kramovik-Xërxë dhe Rahovec-Krushë e Madhe, duke i cilësuar këto segmente si të domosdoshme për sigurinë e qytetarëve.

Latifi ka bërë të ditur se gjendja e këtyre rrugëve është rënduar, me dëmtime dhe gropa të shumta që, sipas tij, po e bëjnë qarkullimin më të pasigurt.

“Këto rrugë janë ndër akset më të frekuentuara në komunën tonë dhe gjendja e tyre e rënduar po rrezikon çdo ditë sigurinë e qytetarëve”, ka shkruar Latifi.

Ai ka njoftuar se i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit me kërkesë për ndërhyrje urgjente në rehabilitimin e këtyre segmenteve rrugore.

Kryetari i Rahovecit ka theksuar se rregullimi i këtyre rrugëve ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Komunës, duke shtuar se qytetarët meritojnë rrugë më të sigurta.

“Pres që kjo kërkesë të trajtohet me prioritet dhe të pasohet me veprime konkrete”, ka deklaruar Latifi. /Telegrafi/