Kush e kënaqë Ilir Dedën?
Në qeverinë e parë zyrtare të Kosovës, kur kryeministër ishte Bajram Rexhepi, Ilir Deda kishte qenë në zyrën e tij si këshilltar.
Pas kësaj përvoje ai i kthehet shoqërisë civile dhe konsiderohej në çdo zgjedhje si opsion për të hyrë në një subjekt politik. Ndoshta dëshira për të qenë i pari ose i dyti në parti e ndalonin Ilir Dedën që ta bëjë këtë hap.
Dhe në vitin 2010 kishte gjetur zgjidhjen, madje edhe me mbështetje të fortë ndërkombëtare.
U formua partia e re në Kosovë, Fryma e Re, që kishte në përbërje njerëz që kishin një reputacion të theksuar në publik. Aty nuk dihej kush ishte kryetari por Ilir Deda dhe Shpend Ahmeti silleshin si kryetarët e partisë.
Fryma e Re dështoi në zgjedhje të përgjithshme, pasi kishte vetëm pak kohë që u formua, dhe shumë pak pas zgjedhjeve edhe partia u shpartallua dhe u shua. Dukej se ishte pasojë e pakënaqësive dhe moskuptimeve mes anëtarëve si dhe mungesa e vullnetit për ta vazhduar projektin politik të ri.
Shpend Ahmeti dhe një pjesë e madhe e anëtarëve të partisë u rehatuan në Vetëvendosje, e Ilir Deda bashkë me Qëndrim Gashin gjeten zgjidhje tjetër. Shkuan tek presidentja e zgjedhur nga zarfi, Atifete Jahjaga. Kjo ndodhi në vitin 2011. Nuk shkoi shumë kohë dhe Ilir Deda u nda i pakënaqur me pozitën e tij dhe mënyrën e udhëheqjes për të lënë kështu presidencën.
Ai iu kthye sërish shoqërisë civile në KIPRED ku iu rezervua karrigia e parë. Për një kohë nuk dha shenja të një inkuadrimi në parti politike, por me kalimin e kohës zërat u shtuan për një afrim të tij me Vetëvendosjen, një parti që dukej të ishte fort në kundërshtim me besimet politike të Dedës, por çuditërisht bashkimi ndodhi.
Njeriu liberal kishte filluar të merrte hapësirë në Vetëvendosje dhe thurte lavde për liderin, Albin Kurtin. Në zgjedhjet e vitit 2014, Ilir Deda nisi fushatën për deputet dhe një pjesë e mediave filloi t’ia kujtojë kohën kur kishte bashkëpunuar me UNMIK-un për të akuzuar veprimet e Vetëvendosjes në protestat e vitit 2007.
Gjithsesi kjo pak la shenja në rrugën e tij për t’u bërë deputet. Tash e një vit Ilir Deda ka folur disa herë në Kuvend por gjuha e tij qysh në fillim është vërejtur se ka nuanca tjera nga ajo çfarë beson dhe vepron partia e tij.
Dhe një ditë kur Vetëvendosje filloi të ashpërsojë veprimet në Kuvend, në bashkëpunim edhe me partitë tjera opozitare, Ilir Deda doli kundër. Dhe këtë e bëri disa herë për të dhënë edhe pamje të një debati të ashpër me liderin e tij të ri, Visar Ymeri.
Ka disa ditë që Ilir Deda nuk ka komunikuar shumë me krerët e partisë së tij. Shumë prej tyre dhe aktivistëve e kanë sharë. Ai vet ka folur ashpër për veprimet e opozitës dhe partisë së tij. Ilir Deda duket të jetë i pakënaqur edhe në Vetëvendosje. Tash kur po flitet për mundësinë e krijimit të një partie të re politike, a do të jetë Ilir Deda në të. Dhe nëse po, a do të jetë i kënaqur aty? /reporteri.net/


