Please enter at least 3 characters.

Kurti: Nesër do të jemi në Kuvend, do të vazhdojmë bisedimet për zgjedhjen e Presidentit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e pranishme në seancën e Kuvendit të Kosovës që është thirrur për nesër.

I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do të paraqesë propozim për kryetar të Kuvendi, Kuri u përgjigj shkurt: "Nesër e kanë thirrë seancën e Kuvendit, do të jemi aty”.

Ai tha se ndërkohë do të vazhdojnë takimet dhe bisedimet politike me synimin që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

“Vazhdojmë me takime e bisedime në mënyrë që ta zgjedhim Presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet, që janë të paarsyeshme e të kushtueshme”, tha Kurti.

I pyetur nëse do të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me akterë të tjerë politikë.

“Jam vazhdimisht në komunikim me të tjerët dhe besoj që duhet t’ua shtroni pyetjet atyre që thonë që do ta bojkotojnë zgjedhjen e Presidentit”, u shpreh Kurti.

Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë para seancës së Kuvendit, në një kohë kur partitë politike po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për konstituimin e institucioneve dhe shmangien e një tjetër procesi zgjedhor. /Telegrafi/