Kurti në Tiranë për homazhe në nderim të Fatos Nanos - shtrëngim duarsh me Edi Ramën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu kanë arritur në Tiranë, ku po marrin pjesë në ceremoninë e homazheve për ish-kryeministrin Fatos Nano.
Kurti pas takimit me familjarët u ndal edhe për të shkruar në librin e zisë për ish-kryeministrin dhe liderin historik të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Në këto homazhe po merr pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, me të cilin Kurti pati një shtrëngim duarsh, që rrallëherë është parë.
Pas kësaj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është bërë përcjellja me nderime shtetërore për Nanon.
Edi Rama, Albin Kurti dhe Ali Ahmeti u panë krah për krah njëri-tjetrit në përcjelljen me nderime shtetërore të Fatos Nanos për në banesën e fundit.
Fatos Nano vdiq dy ditë më parë në moshën 73-vjeçare pas një sëmundje të rëndë. /Telegrafi/


