Please enter at least 3 characters.

Kurti bën homazhe në Han të Elezit: Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në kompleksin memorial të dëshmorëve në Puset e Nikës, në kuadër të shënimit të 29 Gushtit, Ditës së Dëshmorëve të Hanit të Elezit.

Kurti ishte i shoqëruar nga ish-komandanti i UÇK-së dhe deputeti Rufki Suma, ish-të burgosurit politikë Riza Xhakli e Valon Berisha, deputetët Jeton Raka e Valon Ramadani, si dhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, Dr. Mirsad Shkreta, bashkë me kolegë e bashkëpunëtorë.

Me këtë rast, Kurti tha se sakrifica e dëshmorëve duhet të jetë obligim për institucionet dhe qytetarët që të forcojnë dhe zhvillojnë shtetin e Kosovës.

“Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës, andaj është detyrim e obligim i të gjithë neve që gëzojmë Kosovën e lirë e të pavarur ta forcojmë dhe zhvillojmë shtetin, për të cilin kanë kontribuuar dhe janë sakrifikuar breza të tërë shqiptarësh”, deklaroi Kurti.

Në përfundim të homazheve, Kurti ka shprehur nderimet për 15 dëshmorët e Hanit të Elezit dhe të kombit shqiptar, si dhe për të gjithë luftëtarët e lirisë./Telegrafi/