Please enter at least 3 characters.

Kur zviceranët vranë një elefant

Shënime nga ecjet në Zvicër (5): Në vitin 1866, në qytetin Murten afër Bernit, erdhi për të performuar cirku shëtitës amerikan “Bell & Myers”. Me vete kishte edhe dy elefantë. Njëri prej tyre humbi kontrollin, mbyti kujdestarin e tij dhe vetëm ushtria e Zvicrës ia doli ta ndalte – me një top.

Në kantonin e Freiburgut (ose: Fribourg), vendbanimet kanë nga dy toponime: gjermanisht dhe frëngjisht. Në këtë trevë bota gjermanishtfolëse zvicerane kalon në botën frëngjishtfolëse. Rrjedhimisht, Freiburgu është kanton dygjuhësor. Kantoni ka qasje në dy liqene (Neuenburgersee dhe Murtensee). Afër, por në kantonin e Bernit, gjendet Bielersee.


Murten tërheq vizitorët me qytetin e tij të vjetër pitoresk, kalldrëmet dhe shëtitoren e bukur buzë liqenit. (Për historinë e elefantit të paralajmëruar në titull, pak më vonë në këtë tekst). Aty pranë Murtenit gjenden vreshtat e rajonit Vully. Në 160 hektarë kultivohen e vilen mbi 26 lloje rrushi. Është i vetmi rajon i verës në Zvicër që shtrihet në dy kantone të ndryshme (Vaud dhe Fribourg).

Me 653 metra lartësi, kodra Mont Vully është simboli i rajonit me të njëjtin emër, “Le Vully”, që shtrihet midis liqenit të Neuchâtelit dhe atij të Murtenit. Vully shtrihet si në territorin e Fribourgut, ashtu edhe në atë të Vaudit.

Në atë ditë gushti të vitit të kaluar, kur kapërceva në këtë pjesë në këmbë, rrushi ishte pjekur tashmë. Joshja ishte e madhe, e parezistueshme, për të shijuar kokërr pas kokrre. Pastaj, pak përpjetë, pak teposhtë, pak lëndinave, pak pranë një kanali me ujë, arrita te liqeni i Neuchâtelit ose Neuenburg, siç i thonë folësit e gjermanishtes.

Në stacionin e trenit në Bern, mes tollovisë së mbrëmjes, rrëmujës së të premtes, ngutisë së njerëzve për t’u kthyer në shtëpi për fundjavë, ecte drejt trenit ministri zviceran i Drejtësisë. I qetë, pa truproje, pa valixhebartës, pa skena, pa krekosje, pa rrahagjokësi. Ministër, por edhe njeri. I barabartë me të gjithë.

Tollovia ishte edhe më e madhe në tren. Mes pasagjerëve kishte shumë ushtarë zviceranë; edhe ata ktheheshin në shtëpi. Disave prej tyre, në anën e majtë të gjoksit, u shiheshin mbiemrat nga Kosova. I mbanin në duar pothuaj të njëjtat armë si disa prindër të tyre dikur, por me një dallim të madh: ata – prindërit – më 1998 dhe 1999, me armë të tilla, qenë nisur drejt Shqipërisë për të hyrë në Kosovë në betejën finale për liri.

Nga çdo ecje, njeriu merr me vete disa rrëfime. Nga Murten mora me vete një histori me elefant. Në verën e vitit 1866, cirku amerikan “Bell & Myers” performoi në Murten. Kishte marrë me vete edhe dy elefanë aziatikë. Interesimi qe i madh; banorët po shihnin për herë të parë elefantë. Të nesërmen ndodhi hataja. Popullsia u alarmua me lajmin se elefanti mashkull kishte vrarë kujdestarin e tij dhe po bënte kërdinë nëpër qytet. I madh e i vogël u mobilizuan për ta frenuar elefantin dhe, dikur, pas shumë përpjekjesh, ia dolën ta ngujonin në një stallë. Por elefanti s’qetësohej, andaj u mor vendim për ta vrarë. Por elefanti nuk vritet me gurë. As me shigjetë. Mbase as me pushkë gjuetie. Përgjegjësit e qytetit kërkuan nga depoja e armëve të ushtrisë në Freiburg dy topa me municion, të cilët mbërritën në orën 11:00. Pas pak elefanti u neutralizua dhe mbeti i shtrirë për tokë. Predha që e vrau elefantin është e ekspozuar në Muzeun e Murtenit, ndërsa skeleti i elefantit në Muzeun e Historisë së Natyrës në Bern. Ka një rrugicë në Murten që e kujton elefantin; quhet Elefantengasse.

Veterinerët dhe historianët e sotëm kanë një shpjegim se përse u çmend elefanti aziatik i trupës amerikane të cirkut. Sipas tyre, elefanti ndodhej në të ashtuquajturën gjendje “Musth”, një situatë e jashtëzakonshme hormonale që i bën elefantët meshkuj jashtëzakonisht agresivë për shkak të një rritjeje masive të nivelit të testosteronit.

Zviceranët nuk e lanë të shkonte dëm elefanti. Dy kasapë vendorë ia rropën lëkurën dhe e copëtuan për t’ia shitur mishin popullatës. Nga elefanti u bë një çorbë. Thonë se ishte e shijshme, por mishi nuk përtypej lehtë.

true