“Kufijtë janë për t’u sfiduar”: Florian Zeka mbyll garën në 'Prishtina Trails' dhe përmirëson renditjen me 35 vende
Në edicionin e 8-të të “Prishtina Trails”, u shkrua një histori e veçantë sportive dhe njerëzore, me Florian Zekën – atlet nga Gjakova – që edhe pse i verbër, arriti ta përfundojë për herë të dytë distancën në shtigjet malore të Prishtinës.
Edicioni i tetë i “Prishtina Trails”, garës më të madhe të vrapimit në shtigje malore në Kosovë, u mbajt me sukses në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, duke mbledhur 500 vrapues nga më shumë se 20 shtete.
Sipas organizatorit të garës, X-Trailers, Zeka “dëshmoi forcë, guxim dhe shpirt garues të admirueshëm”, ndërsa në çdo kilometër pranë tij ishte shoqëruesi Kristian Gashi, duke e kthyer sfidën në një shembull të besimit, mbështetjes dhe fuqisë që sporti ka për t’i bashkuar njerëzit.
Këtë vit, Florian Zeka jo vetëm që e përfundoi garën, por edhe e theu rekordin e tij personal, duke u renditur 35 vende më lart se herën e kaluar.
Pas pjesëmarrjes në “Prishtina Trails”, ai vazhdoi aktivitetet sportive edhe në garën “Wings for Life”, ku vrapoi edhe 4 kilometra të tjerë.
Një tjetër moment i rëndësishëm i performancës së tij ishte ngjitja e “teleferikut” pa u ndalur asnjëherë – pjesë që konsiderohet si një nga segmentet më të vështira të garës – duke dëshmuar edhe një herë përgatitjen dhe këmbënguljen e tij.
Zeka ka marrë pjesë edhe më herët në Maratonën e Prishtinës, gjithmonë i shoqëruar nga Kristian Gashi, ndërsa në një rrëfim për Telegrafin ai ka folur për vendimin për të garuar dhe për motivimin që e shtyn të sfidojë kufijtë.
Paraqitja e tij dorë për dore me shoqëruesin dhe përfundimi i 10 kilometrave u shoqëruan me lavdata e duartrokitje nga pjesëmarrësit dhe publiku, duke dhënë një mesazh të fortë se sporti është një botë që i përfshin të gjithë dhe se kufijtë janë aty për t’u sfiduar. /Telegrafi/


