Please enter at least 3 characters.

“Krimi nuk ka fe, komb e as parim”: Vrasja e rreshterit Lika, temë e ligjëratës së premtes në xhamia

Në të gjitha xhamitë e Kosovës, këtë të premte, një pjesë e hytbesë së xhumasë iu kushtua vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

Me rekomandim të Myftiut Naim Tërnava, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) përfshiu këtë temë në ligjëratën javore për të dënuar ashpër aktin dhe për të kërkuar drejtësi për viktimën.

BIK theksoi se kjo vrasje ka goditur jo vetëm rendin dhe sigurinë publike, por edhe themelet morale të shoqërisë kosovare. Në hytbe u theksua se përpjekjet për ta justifikuar krimin përmes narracioneve fetare janë thellësisht të rrezikshme dhe të papranueshme.

“Vrasja e një zyrtari të lartë të Policisë së Kosovës dhe njëherësh ish-ushtar i UÇK-së, Muhamed Lika, është akt tronditës dhe i dënueshëm. Tentimet për të lidhur këtë krim me fenë islame përbëjnë strategji që janë përdorur nga grupe kriminale në botë dhe s’mund të tolerohen në shoqërinë tonë”, thuhet në ligjeratën e shpërndarë nga BIK.

BIK u bëri thirrje besimtarëve që të distancohen nga çdo instrumentalizim i fesë dhe të mbështesin institucionet e drejtësisë në zbardhjen e rastit.

“Krimi nuk ka fe, komb as parim. Është detyrë e të gjithëve – institucioneve, shoqërisë civile e qytetarëve – të demaskojnë ata që përpiqen të fshihen pas vlerave fetare për të fshehur mizoritë e tyre”, u theksua në hytbe.

BIK: Mbështetja për institucionet, mënyra më e mirë për të kërkuar drejtësi

BIK apeloi që të shmangen spekulimet dhe vetë-hetimet, pasi çdo tentativë për të ndikuar jashtë kornizës zyrtare rrezikon procesin hetimor dhe zbulimin e së vërtetës.

“Deklarimet e hershme dhe përpjekjet për t’i dhënë krimit motive fetare i shërbejnë vetëm autorëve të tij. Ftojmë të gjithë të ndjekin vetëm informacionet zyrtare dhe të mbështesin institucionet që kanë mandatin për drejtësi.”

Në fund të ligjëratës, Bashkësia Islame e Kosovës dënoi sërish vrasjen dhe u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të policit Lika, duke bërë thirrje që krime të tilla të mos përsëriten më kurrë në vendin tonë.