Please enter at least 3 characters.

Krasniqi dhe Kryeziu vazhdojnë shkëlqimin, Prishtina triumfon ndaj Besës në udhëtim

2020/11/127008974_10159466700718538_4354576803568967657_o.jpg

Përsëri kanë shënuar Endrit Krasniqi dhe Leotrim Kryeziu dhe përsëri Prishtina ka marrë një fitore në udhëtim me rezultat 0-2.

Në mesjavë kryeqytetasit triumfuan te Llapi në Podujevë, ndërsa sot e kanë mposhtur Besën e Pejës në derbin e rivalëve të vjetër të futbollit kosovar.

Skuadra e Zekirija Ramadanit ka marrë fitoren e tretë radhazi dhe të katërtën në pesë sfidat e fundit.

Prishtina e nisi më mirë takimin duke krijuar disa raste të mira shënimi, teksa Qëndrim Zyba goditi edhe shtyllën.

E kur kaluan gjysmë ore lojë, mysafirët dolën në avantazh pasi Endrit Krasniqi realizoi një gol të bukur pas asistimit nga Mankenda për 0-1.

Me epërsinë minimale të mysafirëve skuadrat shkuan në pushim mes dy pjesëve.

Dominimi i kryeqytetasve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, teksa në minutën e 66-të gjetën golin e qetësisë kur realizoi Leotrim Kryeziu për 0-2.

Deri në fund, dy skuadrat patën raste të mira shënimi, por që rezultati nuk ndryshoi dhe Prishtina mori një fitore me shumë vlera 0-2.

Me këto tri pikë të fituara, Prishtina ngjitet në pozitën e tretë në tabelë me 24 pikë të grumbulluara pas 14 ndeshjeve.

Në anën tjetër, Besa mbetet e fundit në tabelë me vetëm gjashtë pikë. /Telegrafi/