KQZ vazhdon numërimin e fletëvotimeve nga votimi me postë, numërohen 131 nga 223 kuti votimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
KQZ njofton se deri më tani, janë numëruar 131 nga 223 kuti votimi (58.74%), në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.
Sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar.
Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.
Një ditë më parë, KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.
Këto pako janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. /Telegrafi/


