Please enter at least 3 characters.

KQZ jep rezultatet preliminare

2016/01/f.1116203114518_m.jpg

Në bazë të rezultateve paraprake, nga qendrat e mëdha, në Prishtinë ka fituar kandidati i LDK-së e në Gjakovë ai i AAK-së, në Ferizaj kandidati i PDK-së, ndërkohë në qendrat tjera të mëdha, Mitrovicë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, do të ketë balotazh.

Sipas këtyre rezultateve, në kryeqytet ka fituar kandidati i LDK-së, Isa Mustafa me 56.6 %. Në Deçan ka fituar Rasim Selmanaj i AAK-së me 67.7%. Në Mamushë ka fituar kandidati i partisë turke KDTP, Arif Bytyç me 80.9%

Në Gjakovë fitues ka dalë kandidati i AAK-së, Pal Lekaj me 52.8 %. Në Gllogovc ka fituar kandidati i PDK-së, Nexhat Demaku me 89.9% të votave. Në komunën e Fushë Kosovës zgjedhjet i ka fituar kandidati i LDK-së, Burim Berisha, me 57.2 %.

Në Leposaviq ka pasur vetëm një kandidate, Ardita Hasani nga AAK, e cila ka fituar përqindjen e plotë të zgjedhjeve.

Në Ferizaj, Bajrush Xhemajli nga PDK, ka fituar 50.5% të votave. Kandidati i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka fituar me 50.2% të votave. Kandidati i PDK-së, Sami Lushtaku, ka fituar zgjedhjet në komunën e Skenderajt me 85%. Në Shtime, kandidati i PDK-së, Naim Ismajli, ka fituar 51.6% të votave në këtë komunë.

Në Zveçan, të gjitha votat i ka fituar kandidati i AAK-së, Sami Kelmendi, ndërsa në Zubin Potok ka dalë fitues kandidati i PDK-së, Naser Ferizi me 53.4%. Në komunën e Graçanicës, fitues është Bojan Stojanoviq nga SLS me 61.8%. Në Ranilug, Dragimir Mikiq, nga GIZOR me 70.4%, ndërsa në Kllokot, Sasha Mirkoviq, nga SLS ka fituar të gjitha votat.

Në Mitrovicë do të shkojnë në balotazh, kandidati i PDK-së, Avni Kastrati, i cili ka fituar 39.4 % të votave, dhe ai i AKR-së, Nexhmedin Spahiu, i cili ka fituar 22.9% të votave.

Në Prizren do të ketë balotazh ndërmjet kandidatit të PDK-së, Ramadan Muja, që ka fituar 31.2% të votave dhe atij të LDK-së, Hanefi Muharremi që ka fituar 30.3% të votave.

PDK dhe LDK në raundin e dytë do të garojnë edhe në Gjilan, me anë të kandidatëve të tyre respektivë, Qemajl Mustafa që ka fituar 38.4% të votave dhe Fatmir Rexhepi që ka fituar 27.6% të votave.

Për postin e kryetarit të Pejësdo të shkojnë në balotazh, kandidati i AAK-së, Ali Berisha (43.4%) dhe kandidati i LDD-së, Elmi Berisha (16%).

Në të gjitha komunat tjera do të ketë balotazh.

Kryetarja e KQZ-së deklaroi se pas dy ose tri ditëve do të jepet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. /Telegrafi/