Please enter at least 3 characters.

KQZ formon komision për vlerësimin e fletëvotimeve në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 79-të për këtë vit, nën kryesimin e Kreshnik Radoniqit, ku u morën vendime të rëndësishme në lidhje me procesin zgjedhor të raundit të dytë.

Në fillim të mbledhjes, kryesuesi Radoniqi njoftoi se gjatë ditës KQZ-ja ka pranuar një raport nga kompania që ka shtypur fletëvotimet për të gjitha komunat, raport i cili saktëson të gjitha gabimet e evidentuara në dengjet e fletëvotimeve të printuara. Sipas raportit, disa nga gabimet janë vërejtur në dy votat e fundit të dengjeve, të cilat kishin numra të ndryshëm të vendvotimeve ose ishin të zbrazëta.

Radoniqi tha se ky raport do të jetë pjesë përbërëse e raportit zyrtar që do të përgatisë vetë Komisioni i Zgjedhjeve.

Po ashtu, KQZ mori vendim për themelimin e një komisioni të veçantë për vlerësimin dhe verifikimin e fletëvotimeve si dhe përputhshmërinë e numrit të tyre në vendvotime, për zgjedhjet e raundit të dytë për kryetarë të komunave Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë.

Ky komision do ta zhvillojë punën e tij në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), pas pranimit të materialeve nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ).

Sipas KQZ-së, puna e këtij komisioni do të shërbejë gjithashtu për të përgatitur përgjigjen për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me ankesat për zgjedhjet në komunën e Mitrovicës së Jugut.