Please enter at least 3 characters.

“Kosovën e gjetëm të shkatërruar” – Shala rrëfen si u ndihmuan mbi 1.2 milion qytetarë pas luftës

Zef Shala nga Nëna Tereze
Foto: Ridvan Slivova

Në pjesën e dytë të rrëfimit në “Përballje Podcast”, Zef Shala tregon se si Shoqata “Nëna Terezë” u përball me një Kosovë të shkatërruar pas vitit 1999, si ndihmoi mbi 1.2 milion qytetarë, rindërtoi qindra shtëpi dhe krijoi një rrjet ndihme në gjithë vendin.

Drejtori ekzekutiv i shoqatës, Zef Shala, ka rrëfyer se kthimi masiv i qytetarëve në Kosovë pas qershorit të vitit 1999 e gjeti vendin me pasoja të rënda të luftës dhe me nevoja të jashtëzakonshme humanitare, shkruan Telegrafi.

Sipas tij, rreth një milion qytetarë të dëbuar u kthyen brenda një periudhe shumë të shkurtër, ndërsa paralelisht u rikthyen edhe aktivistët e Shoqatës “Nëna Terezë”.

“Hapi i parë që duhej ta bënim ishte t’i shihnim pasojat e luftës, ta shihnim se si e gjetëm Kosovën”, tha Shala.

- YouTubewww.youtube.com

Ai deklaroi se shoqata evidentoi rreth 126 mijë shtëpi të djegura ose të shkatërruara, rreth 80 mijë hektarë tokë dhe pyje të dëmtuara, si dhe afërsisht 60 mijë kafshë të vrara ose të humbura gjatë luftës.

Regjistrimi i popullsisë pas luftës dhe ndihma për 1.26 milion qytetarë

Shala tha se menjëherë pas kthimit u bë e domosdoshme të dihej sa njerëz ndodheshin realisht në Kosovë dhe sa prej tyre kishin nevojë për ndihmë.

Sipas tij, më 14 gusht 1999, rrjeti i Shoqatës “Nëna Terezë” realizoi një regjistrim të popullsisë, nga i cili rezultuan 1,644,560 banorë.

“Këto shënime ia kemi dhënë edhe Komisionariatit të Lartë për Refugjatë dhe Programit Botëror të Ushqimit. U vendos që 80 për qind e kësaj popullsie të ndihmohej, që i bie rreth një milion e 260 mijë njerëz”, tha Shala, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, ndihma u shpërnda përmes rrjetit të “Nënës Terezë” dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në fazën e parë, çdo person përfitonte rreth 17.2 kilogramë ushqim, çka, sipas Shalës, nënkuptonte afro 20 mijë tonë ndihma ushqimore në muaj.

“Kjo fazë e parë, me një milion e 260 mijë njerëz, ka vazhduar deri në dhjetor të vitit 1999. Më pas kemi filluar gradualisht ta reduktojmë numrin e përfituesve, sipas përmirësimit të gjendjes ekonomike”, deklaroi ai, shkruan Telegrafi.

Periudha e emergjencës, sipas Shalës, përfundoi më 30 qershor 2002, kur në listat e ndihmës kishin mbetur rreth 35 mijë persona.

Zef Shala nga Nëna Tereze në "Përballje Podcast" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto Ridvan Slivova

234 pika shpërndarëse dhe rreth 1,200 fshatra të mbuluara

Për menaxhimin e kësaj sasie ndihmash, shoqata ishte detyruar të riorganizonte rrjetin e saj.

Shala tha se u krijuan 234 pika shpërndarëse, përmes të cilave mbuloheshin rreth 1,200 fshatra të Kosovës.

“U nisëm me rreth 230 mijë familje, që përbënin një milion e 260 mijë anëtarë. Kjo punë u krye me aktivistët tanë, të cilët vazhdonin të ishin vullnetarë”, tha ai. Me përfundimin e fazës së emergjencës, evidencat e familjeve në nevojë, sipas tij, iu dorëzuan institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe administratës ndërkombëtare, në mënyrë që sistemi i ri institucional ta vazhdonte përkujdesjen sociale.

“Nëna Terezë” ndërtoi 618 shtëpi

Pas sigurimit të ushqimit dhe nevojave elementare, një nga sfidat kryesore ishte rindërtimi. Shala tha se përmes donatorëve të ndryshëm, Shoqata “Nëna Terezë” arriti të ndërtojë 618 shtëpi, ndërsa 218 prej tyre u realizuan me mbështetjen e Shoqatës “Nëna Terezë” në Zvicër.

“Ne u fokusuam te familjet në nevojë. Të tjerët i ndërtuan shtëpitë përmes donatorëve, institucioneve ose vetë, ndërsa ne u përqendruam te ata që nuk kishin mundësi”, tha ai.

Zef Shala nga Nëna Tereze

Nga ndihma emergjente te krijimi i mundësive për punë

Pas vitit 2002, sipas Shalës, mënyra e veprimit filloi të ndryshonte. Në vend që familjeve t’u ofrohej vetëm ndihmë ushqimore, shoqata filloi të investonte në krijimin e kushteve që ato të siguronin vetë të ardhura.

“Filluam me familjet e rasteve sociale që nuk plotësonin kriteret e shtetit. U morëm vesh me Departamentin e Mirëqenies Sociale: ju i trajtoni ata që i plotësojnë kriteret ligjore, ndërsa ne do të merremi me njerëzit që mbeten jashtë tyre”, tha Shala.

Në kuadër të këtyre programeve, ai tha se janë shpërndarë 250 mijë fidane, 4,120 dele, 135 derra dhe 110 lopë qumështore. Më vonë u zhvilluan edhe projekte me sera, bletari, ferma pulash dhe forma të tjera të ekonomisë familjare.

“Qëllimi ishte të mos u japim vetëm peshkun, por t’i mësojmë si ta zënë vetë”, u shpreh ai.

Një prej operacioneve që Shala e veçoi ishte shpërndarja e mjeteve të mbetura nga fondet e diasporës për kategoritë e dala nga lufta. Sipas tij, në periudhën 2003–2005, përmes rrjetit të shoqatës u shpërndanë rreth 2 milionë e 497 mijë e 500 marka gjermane.

Ai tha se 915 familje përfituan nga 1,000 marka, rreth 1,810 fëmijë jetimë nga 300 marka, 1,930 invalidë të luftës nga 500 marka, si dhe 149 pjesëtarë të UÇK-së jashtë Kosovës nga 500 marka.

Pas Kosovës, ndihmë edhe për refugjatët nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës

Shala tha se shoqata mendoi se me përfundimin e emergjencës në Kosovë do të zvogëlohej edhe nevoja për operacione të mëdha humanitare, por konfliktet në rajon e ndryshuan situatën. Gjatë konfliktit në Maqedoni, sipas tij, në Kosovë u strehuan 64,979 persona, për të cilët shoqata u mobilizua së bashku me donatorët.

“Në atë moment e ndjemë si obligim moral, shpirtëror dhe kombëtar që t’u ndihmonim familjeve që po largoheshin nga lufta”, tha ai.

Më pas, sipas tij, rreth 18,400 persona nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci u strehuan dhe u ushqyen në Kosovë derisa u krijuan kushtet për kthimin e tyre.

Shala përmendi edhe shembuj të familjeve kosovare që kishin hapur shtëpitë e tyre për refugjatët.

“Populli shqiptar i Kosovës u gjend përballë kësaj sfide, sepse e kishte përjetuar vetë mikpritjen kur ishte refugjat. Kjo u reflektua menjëherë në gatishmërinë për t’i ndihmuar të tjerët”, tha ai. Për më shumë ndiqeni podcast-in e plotë. /Telegrafi/.

true