“Kosovarët janë përmirësuar shumë, nuk do të jetë e lehtë”, mbrojtësi i Sllovakisë flet për play-offin
Kombëtarja e Kosovës është përforcuar shumë, por Sllovakia ka besim se mund të kualifikohet në Botëror, kështu ka deklaruar ylli i Samsunspor Lubomir Satka.
Kosova do të jetë mysafir i Sllovakisë më 26 mars, sfidë ku sllovakët shihen si favorit.
Për faqen zyrtare të Federatës Sllovake ka folur edhe Satka, i cili lavdëroi Kosovën për përmirësimin në kohën e fundit.
“Mendoj se shëndeti dhe forma e lojtarëve mund të jenë vendimtare. Besoj se trajnerët do të na përgatisin mirë nga pikëpamja taktike. Detajet mund ta vendosin ndeshjen. Kosovarët janë përmirësuar shumë në aspektin e cilësisë, kanë lojtarë shumë të mirë që luajnë në liga të forta”.
“Ata e konfirmuan këtë duke përfunduar të dytët në një grup kualifikues shumë të vështirë. Nuk do të jetë e lehtë, por të gjithë besojmë se do ta menaxhojmë dhe do t’i afrohemi ëndrrës sonë të përbashkët”, deklaroi ai.
Fituesi i përballjes Sllovaki – Kosovë do ta presë fituesin e gjysmëfinales tjetër Turqi – Rumani më 31 mars 2026./Telegrafi


