Kosova së shpejti me pasaporta të reja
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, në një intervistë për BBC-në, ka thënë se dokumentet personale të cilat janë në përgatitje e sipër të prodhimit dhe dizajnimit të tyre, do të kenë standardin më të lartë të sigurisë në rajon, të rekomanduara edhe nga ekspertë të Komisionit Evropian.
Ministri Pajaziti tha se ligji parasheh që dokumentet personale të mundësojnë identifikimin e personave, shtetësinë e tyre dhe gjithë informatat e nevojshme për ta.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, qytetarëve të saj u lejohet dyshtetësia. Ministri Pajaziti thotë se nga kjo mund të përfitojnë të gjithë qytetarët që janë shtetas të Kosovës, dhe kanë mundësi të kenë edhe një shtetësi tjetër.
"Nëse një qytetar dëshiron që përveç një pasaporte vendore ta ketë edhe një pasaportë p.sh nga Shqipëria, nëse mund të marrin shtetësinë nga Shqipëria, mund ta kenë atë, po ashtu edhe qytetarët e tjerë nga ndonjë vend tjetër".
Sipas ministri Pajaziti, ende nuk është përmbyllur çështja e legjislacionit, i cili parasheh kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit e huaj për të fituar pasaportën e Kosovës.
Ai thotë se elementet të cilat do ta karakterizojnë sigurinë e pasaportës së Kosovës do të jenë po ato të cilat tashmë janë në dokumentin e udhëtimit të UNMIK-ut duke u shtuar edhe disa elemente të cilat janë rekomanduar nga ekspertë të Komisionit Evropian.
" Dokumentet janë në fazën e disenjimit dhe javën e kaluar është paraqitur forma e parë e dizajnit e propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Pasaporta e Republikës së Kosovës do të ketë ngjyrat e flamurit evropian por dhe simbolet e Kosovës të miratuara nga Parlamenti i Kosovës.
"I gjithë procesi i prodhimit të dokumenteve personale do të kushtojë rreth 1 milionë e 800 mijë euro", ka bwrw tw ditur ministri Pajaziti.
Deri në ditën e daljes së pasaportës së Kosovës, qytetarët e saj do të mund të vazhdojnë të përdorin dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut. Qytetarët e Kosovës, që nga viti 1999, kanë përdorur dokumentet e udhëtimit të ish-federatës jugosllave dhe ato të lëshuara nga Misioni i OKB-së.
Pasaportat e Kosovës do të shënojnë rastin e parë që shtetasit e saj, me në fund të kenë edhe dokumentet e udhëtimit, të cilat për momentin, do të njihen nga rreth 40 shtete të botës, aq sa deri më tash e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. /bbc/telegrafi/


