Please enter at least 3 characters.

Kontradikta, domosdoshmëria apo …

Skena politike në Kosove po begatohet në vazhdimësi dhe kjo është për tu vlerësuar se me gjasë do kemi më tepër brumë për të bërë “desertin” final, por format e brumosjes nganjëherë janë shumë të çuditshme dhe të papritura.

Në Kosovë dihet shumë mirë që kemi mjaft politikanë që janë kontradiktor në mendimet apo deklaratat e tyre, por kjo shpesh shihet e natyrshme duke pasur parasysh dëshirën e një individi për t’i çuar përpara teket apo ambiciet e tij drejt një qëllimi të caktuar. Kudo që ato bëhen kryesisht nuk dëmtojnë proceset, por individin përball tij, palën e tretë apo një ngjarje qe ka përkufizimet e saja jo ne nivel nacional. Zakonisht këta individ trajtohen si jo stabil dhe deklaratat e tyre nuk marrin shumë jehonë as nëpër media, ngase kjo kalon në rutinë tek ta dhe si e tillë më nuk paraqitet si qëllimkeqe, por më tepër si një shprehi kronike për qëllime jo madhore dhe destabilizuese.

Mirëpo kur një ide apo mendim lansohet në një shtet të sapoformuar për t’i ndërprerë proceset demokratike që në ngritjen e tij janë të domosdoshme dhe madje obliguese, dhe si ide e tillë manifestohet në forma të ndryshme, si me protesta, pamflete e forma tjera, patjetër tani kjo merr një kahje dhe konotacion që duhet ulur dhe diskutuar. Një ide e tillë është dhënë nga Lëvizja Vetëvendosje! në zgjedhjet e kaluara, që në të gjitha format bënin thirrje për të mos dalë në zgjedhje me argumente që kjo lëvizje i ka cilësuar si të arsyeshme për kohen kur i ka bërë.

Këtu nuk ka asgjë të keqe sepse në të gjitha shtetet demokratike ekzistojnë lëvizje që janë mekanizëm i fuqishëm i popullit dhe si e tillë edhe kjo lëvizje do të duhej të kontribuonte në kontinuitet në proceset që do lëviznin paralelelisht me ndërtimin e institucioneve, por edhe në përballimin e shumë sfidave që do t’i ketë populli karshi trendit të zhvillimit ekonomiko-social. Megjithkëtë, kjo nuk ndodhi në Kosovë, përkundrazi Lëvizja Vetëvendosje! tanimë ka harruar thirrjet e zgjedhjeve të kaluara, thirrjeve të bëra nga vet ajo, dhe po hynë në një proces që ka qen i kundërshtuar fuqishëm prej saj, në një proces që është quajtur i kurdisur, i manipuluar dhe jo i dobishëm për tejkalimin e situatave të ndryshme negative të Kosovës.

Në çfarë forme dhe në çfarë kohë do ta arsyetoj hyrjen Lëvizja Vetëvendosje! në proceset zgjedhore pritet të shihet. A do të jetë kjo një ndihmesë e llojit të vet për popullin e vuajtur të Kosovës apo kjo është vetëm pjesa e mbetur e karvanit që është vonuar për t`ju bashkuar skenës politike dhe për ta bërë përfundimisht ndarjen e popullit nga akterët politikë dhe për t’ia larguar edhe atë urë që kishte deri te institucionet e Kosovës, pritet që të dëshmohet me verdiktin e “votës” të Kosovarëve, por nuk ka dyshim që historia do ta cilësojë si një vendim kontradiktorë karshi deklaratave dhe thirrjeve të më hershme.