Please enter at least 3 characters.

Konflikti në Lindjen e Mesme e çon rritjen ekonomike globale në nivelin më të ulët që nga COVID-19

Konflikti në Lindjen e Mesme pritet të ngadalësojë rritjen ekonomike globale në nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë COVID-19, në një kohë kur çmimet e energjisë janë të larta, inflacioni mbetet i lartë dhe kostot e huamarrjes janë rritur, sipas raportit më të fundit të Grupit të Bankës Botërore, Perspektivat Ekonomike Globale.

Sipas raportit, rritja ekonomike globale parashikohet të ngadalësohet në 2.5% në vitin 2026, nga 2.9% në vitin 2025. Parashikimet për rreth dy të tretat e ekonomive janë ulur krahasuar me janarin e këtij viti.

Rritja globale pritet të përmirësohet në 2.8% në vitin 2027, por do të mbetet 0.4 pikë përqindjeje nën mesataren e viteve 2010. Rritja e dobët në ekonomitë në zhvillim ka ngadalësuar progresin drejt konvergjencës me ekonomitë e avancuara. Deri në vitin 2028, ekonomitë në zhvillim, me përjashtim të Kinës dhe Indisë, pritet të kenë përjetuar pothuajse një dekadë pa përparim në ngushtimin e hendekut të të ardhurave për frymë me ekonomitë e zhvilluara, thuhet në raport.

“Vendet në zhvillim janë përballur me një sërë sfidash gjatë dekadës së fundit”, tha Ajay Banga.

Sipas tij, “ndikimi ndryshon nga vendi në vend, por testi bazë mbetet i njëjtë: mbrojtja e njerëzve dhe ruajtja e stabilitetit sot, pa sakrifikuar rritjen ekonomike dhe vendet e punës nesër. Në përgjigje të tronditjes aktuale, ne po ofrojmë likuiditet aty ku është i nevojshëm dhe jemi të gatshëm me financim shtesë, garanci dhe zgjidhje për sektorin privat nëse presionet thellohen. Detyra jonë është të ndihmojmë vendet të stabilizohen, të vazhdojnë reformat dhe të dalin më të forta.”

Raporti thekson se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka tronditur tregjet globale të energjisë. Çmimi i naftës Brent parashikohet të jetë mesatarisht 94 dollarë për fuçi në vitin 2026, rreth 36% më i lartë se në vitin 2025, duke supozuar se ndërprerjet më të rënda do të zbuten në korrik. Po ashtu, çmimet e plehrave pritet të rriten ndjeshëm, duke ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të ushqimeve. Si pasojë, inflacioni global parashikohet të rritet në 4.0% në vitin 2026, nga 3.3% në vitin 2025.

Megjithatë, rreziqet mbeten të larta në kahun negativ. Nëse ndërprerjet e furnizimit me energji rezultojnë më të rënda dhe shoqërohen me stres financiar, rritja globale mund të bjerë deri në 1.3% në vitin 2026, ndërsa inflacioni mund të arrijë në 4.4%.

Këtë vit, rritja në ekonomitë në zhvillim pritet të ngadalësohet në 3.6%, nga 4.4% në vitin 2025, përpara se të rikuperohet në 4.2% në vitin 2027. Ekonomitë e Gjirit, të prekura drejtpërdrejt nga konflikti, pritet të pësojnë goditjen më të madhe, me rritje që bie nga 3.9% në vitin 2025 në pothuajse zero në vitin 2026. Megjithatë, raporti parashikon rimëkëmbje në 2027–2028, me rritje rreth 5% si pasojë e rikthimit të tregtisë dhe nisjes së projekteve të rindërtimit.

Grupi i Bankës Botërore ka deklaruar se mbetet i përkushtuar të mbështesë vendet në zhvillim përballë krizave. Në përgjigje të konfliktit në Lindjen e Mesme, ai ka vënë në dispozicion deri në 50–60 miliardë dollarë përmes instrumenteve ekzistuese, përfshirë 25 miliardë dollarë financim të para-caktuar. Këto fonde synojnë të mbështesin rrjetet e sigurisë sociale, të forcojnë kapacitetet fiskale dhe të ofrojnë likuiditet për bizneset dhe fermat. Nëse kriza thellohet, mbështetja mund të rritet në 80–100 miliardë dollarë gjatë 15 muajve.

Azia Jugore pritet të ketë rritjen më të fortë ekonomike në vitin 2026, por edhe aty parashikohet ngadalësim, nga 7% në 2025 në 6.3% në 2026. Ndërkohë, Afrika Sub-Sahariane po përballet gjithashtu me ngadalësim, kryesisht për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve të ndikuara nga mungesa e furnizimit me plehra.

“Konflikti ka lënë gjurmë në ekonominë globale, por çdo krizë sjell edhe mundësi”, tha Ayhan Kose, zëvendëskryeekonomist i Grupit të Bankës Botërore. Sipas tij, ky moment duhet shfrytëzuar për të forcuar politikat ekonomike, për të investuar në infrastrukturë, për të përshpejtuar reformat dhe për të mobilizuar kapitalin privat për krijimin e vendeve të punës.

Raporti trajton gjithashtu sfidat fiskale në ekonomitë në zhvillim. Rreth dy të tretat e tyre, dhe gati 90% e vendeve me të ardhura të ulëta, varen nga eksportet e mallrave, por kanë pozita fiskale më të brishta për shkak të të ardhurave të paqëndrueshme. Sipas analizës, pjesa më e madhe e të ardhurave të papritura nga rritja e çmimeve të mallrave shpenzohet në vend që të kursehet për stabilizim fiskal. Për këtë arsye, rekomandohet forcimi i rregullave fiskale, krijimi i fondeve sovrane dhe diversifikimi ekonomik.

Një tjetër kapitull i raportit thekson se rritja e borxhit publik po e vështirëson reagimin ndaj krizave dhe po rrit kostot e huamarrjes. Që nga viti 2010, borxhi publik në ekonomitë në zhvillim është rritur nga nën 40% në mbi 70% të PBB-së. Analiza tregon se vendet me borxh më të lartë përballen me kosto më të mëdha huamarrjeje, veçanërisht ato më të cenueshme. Reduktimi i borxhit, sipas raportit, do të krijonte hapësirë më të madhe fiskale për investime në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, duke nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin. /Telegrafi/