Konfiskimi shtetëror i ndërmarrjeve private në Gjakovë...
...si “model” i privatizimit të (pu)shtetit “demokratik”
- “Mos kërkoni drejtësi duke lëshuar pê; Mos lëshoni pê kur keni të drejtë” – Johann Wolfgang Goethe.
Termi “privatizim” ishte i njohur si praktikë dhe përvojë në Gjakovë një dekadë më herët se kur Misioni i Përkohshëm i Administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ish-Departamenti i Tregtisë dhe Industrisë (DTI) filluan të diskutojnë për të si koncept dhe model i transformimit pronësor. Atë çka nuk mundi regjimi i Millosheviqit ta kthej krejtësisht mbrapsht që kishte ndodhur në Gjakovë, duket se po synon ta bëjë Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM).
Për u thelluar në historinë e „kontestit” ndërmjet AKP-së dhe ndërmarrjeve nga Gjakova, për shkak se për këtë do të përgatisim edhe një analizë më të hollësishme, qëllimi i këtij artikulli është të bëjë një vlerësim kritik rreth mosmarrëveshjeve më të reja ndërmjet AKP-së dhe Shoqërive Aksionare (Sh.A,) nga Gjakova.
Ish-DTI ishte në dijeni për procesin që kishte ndodh në Gjakovë, e më vonë këtë e konstatoj edhe AKM-ja. Prandaj, në Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2002/12 Mbi Themelimin e AKM-së, dispozitat e Nenit 5.3 dhe Nenit 5.4 e kishin paraparë rastin e Sh.A. nga Gjakova si të veçantë; ato duhej të regjistroheshin si të tilla. Dispozitave në rregullore i kanë paraprirë verifikimet në terren nga zyrtarët e huaj të DTI-së dhe AKM-së si Allen Shinn, Tim O’Neil, Andy Bearpark, Jasper Dick, e të tjerë. Po të njëjtin konstatim e njohin edhe dispozitat e Nenit 5.4. të Rregullores së ndryshuar Mbi Themelimin e AKM-së nr. 2005/18. Urdhëresa Administrative e UNMIK-ut nr. 2002/22 Mbi Zbatimin e Rregullores nr. 2001/6 për Shoqëritë Tregtare, në Nenin 42, autorizon regjistrimin e ndërmarrjeve shoqërore nëse janë transformuar në Sh.A., sikur këto të Gjakovës, ashtu siç i ka njohur ndonjë gjykatë kompetente në Kosovë. Nuk ka mbetur kush i interesuar pa u njohur me privatizimin në Gjakovë. Edhe ju mund ta vërtetoni kur të doni. Kujdes: Duhet të bazoheni në fakte, jo në thashetheme dhe supozime të disave siç do t’i vëreni më poshtë.
Të vetmit që atëherë dhe tani, deklaruan qorrazi se „privatizimi në Gjakovë ka qenë fiktiv”, janë disa shqiptarë të ish-DTI-së, ish-AKM-së, dhe tani të AKP-së. Kanë qenë, janë dhe mbeten njerëzit e tillë në Kosovë që i japin shkas, deri-diku të arsyeshëm, disa politikanëve të Serbisë, përfshirë edhe kryetarin e saj, Boris Tadiq, të deklarojnë se Kosova është „lažna država” (shtet i rrejshëm). Fatkeqësisht, shumë njerëz që e përfaqësojnë shtetin e Kosovës e kanë të pamundur të flasin ose shkruajnë normalisht pa gënjyer qëllimisht. Në vijim po sjellim disa fakte se si gënjejnë qëllimshëm ish-AKM-ja dhe AKP-ja.
AKP-ja „sofistikon” gënjeshtrat
Me datën 21.04.2010, në gazetën e përditshme të Kosovës „Kosova Sot”, në faqe 47, AKP-ja boton një shpallje me të cilën vendos të bëjë shitjen e këtyre ndërmarrjeve Holding dhe njësive të tyre nga Gjakova: Deva (5 Sh.A.), Jatex (7 Sh.A.), dhe Emin Duraku (9 Sh.A.). AKP-ja në shpalljen e saj thotë se vendimin e tillë e bazon në kompetencën e saj sipas Nenit 5.1 (a) të Ligjit nr. 03/L-067 për AKP-në. Çka thotë Neni 5.1 (a)?
„Agjencia është e autorizuar që të administrojë: (i) ndërmarrjet në pronësi shoqërore, pavarësisht nëse i janë nënshtruar transformimit apo jo”.
Ky paragraf përjashton ndërmarrjet e Gjakovës. AKP-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në asnjë ndërmarrje të Gjakovës, qoftë edhe në ato të cilat vetëm e kanë sjellë vendimin formal për transformim pronësor dhe privatizim, janë regjistruar pranë gjykatës kompetente, dhe nuk kanë mundur të vazhdojnë dhe përfundojnë procesin e nisur. Arsyetimi nuk gjendet vetëm në „Ligjin në Fuqi” të cilit AKP-ja i referohet shpesh dhe e cilëson atë si gur themel dhe kulm, por edhe në vetë Ligjin për AKP-në, dhe hiq më larg se po aty te Neni 5.1. në paragrafin (b), i cili thotë: „nëse një rregullore ose ligj i shpallur nga një autoritet publik në Kosovë pas 10 Qershorit 1999 i cakton përgjegjësinë për administrimin e aseteve të përcaktuara në nenin 5.1(a)(ii) një organi tjetër publik, Agjencia nuk do të ketë autoritet mbi këto ndërmarrje duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të atij ligji ose rregullore”.
Cilat janë rregulloret pas 10 qershorit 1999 rreth privatizimit? Rregullorja nr. 2002/12, Urdhëresa Administrative nr. 2002/22, Rregullorja nr. 2005/18, dhe disa tjera me ndikime të tërthorta, si p.sh. Rregullorja nr. 2001/6 Mbi Shoqëritë Tregtare. Pra, Ligji për AKP-në e specifikon qartë se nuk ka të drejtë ndaj Sh.A. në Gjakovë, statusin e të cilave e kanë njohur rregulloret e miratuara pas 10 qershorit 1999. Edhe diçka për Nenin 5.1 (a)(ii) të cilin e cituam në origjinal ashtu si e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.
A i vëreni gabimet drejtshkrimore në të, si: „10 Qershor” (shkruhet „10 qershor”), „publik, , Agjencia” (mungesë elementare e shenjave të pikësimit), mandej përkthimi tekstual (bukval) i „aseteve”, „autoritet publik”, „do të ketë autoritet”? Mos të hyjmë më në detaje se na duhen dhjetëra faqe komente. Unë vë bast me secilin prej jush pa kurrfarë supozimi por me fakte, se Kuvendi i Kosovës nuk e ka përgatitur asnjë fjalë të këtij Ligji. I tëri është i përkthyer nga gjuha angleze fund e krye, dhe atë jo si duhet. Unë po ashtu vë bast se gjithë ata akademikë në Kuvendin e Kosovës, nuk e kanë lexuar fare këtë Ligj.
Më tutje, lexoni më vëmendje këtë formulim të AKP-së në shpalljen e gazetës:
„Agjencia ka të drejtë të supozoj që Transformimi nuk i përmbush të gjitha kushtet e cekura në paragrafin (a) më sipër, përveç nëse Agjencia ka të gatshme në dispozicion prova bindëse të cilat vërtetojnë se transformimi i përmbush këto kushte”.
Kështu thuhet edhe në Nenin 5.3 (b) të Ligjit për AKP-në. Pyetja është: Në cilin shtet të botës keni hasur ligje që i jep dikujt të drejtën e supozimit dhe në bazë të tij ose pjellës së imagjinatës të merren vendime? Shpallja e AKP-së vazhdon: „Pas shqyrtimit të dëshmive dhe dokumentacionit në dispozicion, Bordi i AKP-së në mbledhjen e mbajtur më 29 prill 2010 vendos që: Ndërmarrjet e poshtëshënuara [ato tri nga Gjakova që i cekëm më lartë] dhe asetet e tyre janë 100% pronë shoqërore”. Çka u bë me të gjitha ato dëshmi të Allen Shinn-it, Tim O’Neil-it, Andy Bearpark-ut, Jasper Dick-ut, Michael Steiner-it, Soren Jesen Petersenit, AKM-së, dhe të vetë Sh.A. nga Gjakova?
Cilave dëshmi dhe dokumentacion në „dispozicion” i referohet AKP-ja, kur edhe vetë thotë se ka të drejtë të marrë vendime në bazë të supozimeve? Romakët e vjetër, qysh në atë kohë e kanë ditur banalitetin e supozimit në raport me realitetin kur kanë thënë: „et supositio nil ponit in esse”, që në shqip do të thotë: „supozimi nuk vë asgjë në ekzistencë”. Derisa kuptimi i realitetit në bazë të supozimeve ka qenë i papranueshëm tek romakët e vjetër para 2000 viteve, dikush në Kosovë po mundohet ta zbatoj këtë dukuri të pakripë në shekullin 21.
Ndërmarrjet që i përmend AKP-ja konfirmojnë se kjo Agjenci nuk ka bërë kurrfarë auditimi (revizioni) të tyre, madje edhe refuzon ta bëjë një gjë tillë në bazë të dëshmive ligjore dhe faktike. Një lloj auditimi të Sh.A., pos shumë subjekteve juridike dhe fizike, na ka rënë hise ta bëjmë edhe ne dhe mua personalisht. Në bazë të dëshmive që i kemi gjetur, dhe të cilat i kemi bërë publike, themi me bindje 100% (shifër e pëlqyer nga AKP-ja) dhe pa kurrfarë supozimi, se AKP-ja po rren. Nëse edhe ju doni ta vërtetoni se AKP-ja në rastin e Sh.A. nga Gjakova po rren, duhet t’i shqyrtoni vetë dëshmitë, të cilat mund të gjenden edhe nga burimet tjera (për shembull, ndonjë aksionar serb që ka punuar në Gjakovë, dhe tani nuk gjendet në Kosovë).
AKP-ja ua ka njohur vetëm dy ndërmarrjeve transformimin pronësor dhe privatizimin në Gjakovë: HC Dukagjini, dhe Sh.A. Elektromotori. Kisha bindjen se këto qenkan çliruar nga AKP-ja. Nëse dikush nuk do të pajtohej me transformimin pronësor të tri Sh.A. Holding të cilat AKP-ja i ka shpallë 100% pronë shoqërore, atëherë nuk mund të jemi unë, ti, ose kushdo qoftë, që të flas në favor të AKP-së dhe kundër atyre ndërmarrjeve, por Dukagjini dhe Elektromotori. Këto e kishin „kaluar ujin” dhe kishin të drejtë „ta vrasin kalin”, sepse u konvenon.
E pyeta udhëheqësinë më të lartë të Dukagjinit për tri ndërmarrjet e shpallura shoqërore nga AKP-ja. Ata më thanë se është shumë e pandershme dhe ilegale të deklarohemi në favor të pavërtetës, sepse, me të njëjtin ligj, procedurë, kohë, institucion kompetent, e kemi bërë transformimin pronësor dhe privatizimin si ne, ashtu edhe Jatexi, Deva, Emin Duraku, Metaliku, e shumë të tjera që po synon t’i marrë ilegalisht AKP-ja. Ata pastaj më treguan certifikatën e regjistrimit të ndërmarrjes së tyre, ku te përshkrimi i llojit të biznesit, thuhet: „Ndërmarrje tjera nën juridiksion të AKM”. Mendova se ishte gabim teknik i Agjencisë për Regjistrimin e Biznesve në Kosovë, ani pse ai gabim i supozuar teknik (sepse AKP-ja ia ka njohur statusin HC Dukagjini si private) mund të korrigjohet brenda ditës tek institucioni që e lëshon çertifikatën.
Por, supozimin siç e ceka edhe më lartë, nuk kanë qenë në gjendje ta pranojnë si diçka që ekziston pa e vërtetuar as romakët e vjetër. Vendosa të hulumtoj tjetërkund. Shkova në HC Jatex. Shikova dhe mora një kopje të certifikatës së regjistrimit, me numrin 70373851, të lëshuar me datën 08.08.2006. Te kategoria „Lloji i biznesit” edhe këtu shkruan: „Ndërmarrje tjera nën juridiksion të AKM”. Shumë e paqartë, a? Askund në Ligjin për AKP-në nuk figurojnë „ndërmarrjet tjera”.
Dikush mund të mendoj në ndërmarrjet publike, për të cilat AKP-ja nuk është kompetente. Mund të jenë private, sikur këto të Gjakovës, të cilat AKP-ja po synon t’i transformoj ilegalisht në pronë shoqërore, pavarësisht se me Ligj e ka të ndaluar.
Në çertifikatën e regjistrimit të biznesit me numër 70373851 (Holding “Jatex” Tricotex”), në shtojcën „Informata mbi biznesin”, figuron kapitali themelues dhe i paguar në shumën prej 502,152.74 euro (Numri është shkruar në gjuhën angleze. Në dy gjuhët tjera zyrtare të Kosovës, shqip dhe serbisht, ishte dashur të shkruhet si 502.152,74 euro, pra ndryshojnë pikat dhe presjet. Mbajeni mend këtë se ka raste kur mund të „digjeni”, ose „fitoni”). Krijohet bindja se këtë e ka themeluar AKM-ja. Në fakt, AKM-ja nuk e ka themeluar Jatex-in dhe as që ka paguar kapitalin themelues të saj, ndërsa AKP-ja po mundohet ta konfiskoj me shpifjen e „Ndërmarrjeve tjera” të cilat as vetë nuk e di, dhe as Ligji i saj nuk e thotë, se cilat janë ato. Nuk e dimë as unë e as ju se cilat janë „ndërmarrjet tjera”.
Në Nenin 31, Ligji për AKP-në ka tri dispozita, secila më kundërthënëse se tjetra, si: „31.1 Ky ligj mbisundon çdo dispozitë tjetër të ligjit në fuqi që është në kundërshtim me të”. Vërejtje: Të gjitha rregulloret rreth privatizimit në Kosovë prej qershorit 1999, në shumë dispozita bien në kundërshtim të hapur me Ligjin për AKP-në.
„31.2 Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2002/12, me ndryshimet dhe plotësimet e saj, nuk do të prodhojë efekte juridike pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Vërejtje: Ka prodhuar, prodhon, dhe do të prodhoj efekte, madje të forta. Derisa të ekzistoj Ligji në Fuqi të cilit i nënshtrohet Ligji për AKP-në dhe të gjitha ligjet tjera, formulimi për „mbisundim” të çdo gjëje nga e kaluara, dhe atë me dispozitat skandaloze si „të drejtën për supozim” dhe marrjen e vendimeve të prera në bazë të supozimeve(!), janë çështje të papërgjegjësisë së skajshme juridike që tregojnë për nivelin e degjenerimit mental të një garniture politike deri në kriminalizim primitiv.
Këtë artikull do ta përcjellë analiza më e gjatë dhe hollësishme.
(Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike - INEPRA)


