Please enter at least 3 characters.

Komuna e Malishevës nënshkruan marrëveshje për mbështetjen e fermerëve me pajisje bujqësore

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi që synon mbështetjen e fermerëve në këtë komunë.

Sipas tij, marrëveshja është nënshkruar me drejtorin e organizatës Islamic Relief Kosova, Dr. Mohamed Soliman, në kuadër të projektit për bujqësi të qëndrueshme në Kosovë, i cili mbështetet nga Islamic Relief Switzerland.

“Sot, bashkë me drejtorin e Islamic Relief Kosova, Dr. Mohamed Soliman, nënshkruam edhe një marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të projektit për bujqësi të qëndrueshme në Kosovë, i mbështetur nga Islamic Relief Switzerland”, ka bërë të ditur Kastrati.

Ai ka theksuar se përmes këtij projekti do të subvencionohen fermerët e komunës së Malishevës me pajisje të ndryshme bujqësore, me qëllim rritjen e prodhimit dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

“Përmes këtij projekti do të subvencionohen fermerët e komunës sonë me serra, spërkatëse dhe shpërndarëse të pluhurit kimik, me qëllim rritjen e prodhimit dhe zhvillimin e bujqësisë në gjithë territorin e komunës së Malishevës”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/